Tashmë edhe fëmijët e Tiranës mund të mësojnë përmes teknologjisë së përparuar dhe lojës. Pas Gjakovës dhe Prishtinës, qendra “Bonevet” vjen edhe në Tiranë.
“Të gjithë duan ndryshimin, që gjërat të bëhen, por asnjë nuk thotë do ta bëj vetë. Secili thotë: Jo, jo, të vijë ndryshimi, por të ndryshojë dikush tjetër. Unë besoj se kjo sfidon jo vetëm një grup fëmijësh. Jam i bindur se secili prej jush do gjejë veten, për mekanikë, elektronikë, por ajo që besoj se është më e rëndësishme është të kuptojmë se kjo është një mundësi fantastike që ndoshta nuk e kanë të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Më vjen mirë që këtu ka fëmijë nga Shtëpia e Fëmijës, nga komunitete të ndryshme.
Per kryebashkiakun e kryeqytetit Erjon Veliaj nisma të tilla do të transformojnë Shqipërinë.
“Dua që në buxhetin e Bashkisë së Tiranës të vendosim një fond për t’iu bashkuar sfidës, e mandej ju mund ta vendosni vetë si do ta përdorni. Mund ta përdorni si bursa, mund ta përdorni për të shtuar kapacitetet, mund ta përdorni për të shtuar programet që ofroni, por duam që të jemi pjesë e një historie suksesi që lind sot. Na quani partnerë, jo vetëm me llafe, por edhe për të investuar në një risi që do transformojë Shqipërinë.
Veliaj tha se shumë shpejt edhe piramida do të shndërrohet në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon, duke shërbyer si një hapësirë për shkëmbim idesh.