Qendra e Paraburgimit në Scheveningen të Hagës, ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ndaluar gjatë ditës së diel telefonatat dhe komunikimet përmes video-lidhjes (platformës zoom) mes të paraburgosurve dhe familjarëve.

Mediat Kosovare raportojnë se disa familjarë që kanë pasur të planifikuar kontaktin përmes zoom, janë shprehur se kjo nuk është realizuar sipas planit, pa u dhënë asnjë arsye paraprakisht, si dhe nuk janë njoftuar më pas për arsyet e ndalimit.

Ndërkaq veç telefonatave, janë anuluar edhe vizitat siç ka konfirmuar vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerimi.

Blerim Thaçi ka thënë se ishin bërë gati që të niseshin për në Hagë, por papritmas ishin njoftuar se vizita u ishte anuluar.

“Sot, deri sa ishim nisur për të shkuar në Hagë dhe i kishim bërë të gjitha rezervimet e nevojshme atje, pasi që nesër kishim vizitë të konfirmuar te vëllai ynë, na ka ardhur një njoftim që na është anuluar vizita, pa na e dhënë asnjë arsye, asnjë sqarim. I njëjti njoftim u kishte shkuar edhe vizitorëve të tjerë. Për ne si familje, kjo sjellje është vërtet e papranueshme.

Jo vetëm që po i mbajnë të paraburgosur jashtë çdo praktike juridike, duke ua shkelur edhe të drejtat njerëzore, por tash po na penalizojnë edhe neve, familjarëve të tyre, duke mos na lejuar as që t’i vizitojmë e takojmë familjarët tonë. Përpos që po i mbajnë padrejtësisht në burg që tri vjet, tash po mundohen t’i izolojnë edhe më shumë, duke mos iu lejuar as vizitorë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi’’, ka thënë Blerim Thaçi.

Kufizime të tilla kishte pasur vetëm gjatë vitit të parë të qëndrimit në paraburgim për krerët e UÇK-së, si pjesë e masave të marra gjatë kohës së pandemisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re