TIRANË- Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile në Shqipëri shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi.

Përfaqësues i kësaj qendre Nebi Muçaj, në një deklaratë për mediat u shpreh se aktualisht  presin të nisin drejt Turqisë një grup prej dhjetë peronash vullnetarë, në përbërjen e të cilit janë mjekë të specializuar për kërkimet poshtë rrënojave.

“Fatkeqësitë nuk kanë kufi, s’kanë ndarje, ne jemi të gjithë bashkë në mbështetje të bashkisë së Tiranës. Ne përgatitemi çdo ditë për të qenë pjesë e fatkeqësive.  Aktualisht kemi menduar, kërkesat janë të shumta nga vullnetarët, si mjekë, infermierë dhe zjarrfikëse dhe ne kemi menduar një grup prej dhjetë peronash, të cilët janë mjekë për kërkimet nën rrënoja.  Në të dyja vendet, nuk kemi paragjykim, me rëndësi që të jemi aty dhe të ndihmojmë. Ne jemi një pikë e vogël, por themi se do bëjmë një punë të madhe”, thanë përfaqësuesit.

Ata shprehen se ka shumë qytetarët që kanë dalë vullnetarë për të shkuar drejt Turqisë, por sipas Muçajt në këto kushte duhet një organizim i mirëfilltë.

“Ne jemi të trajnuar nga Komiteti Evropian dhe kemi pasur trajnime me forcat turke në disa vende të Ballkanit dhe duke njohur dhe duke qenë se kemi marrë trajnime nga turqit, sot duam të shkojmë dhe të ndihmojmë atje. Kemi shumë vullnetarë dhe bëjmë thirrje dhe të lutemi të gjithë për ata njerëz që ndodhen në këto ditë kaq të vështira. Ne e kemi prekur vetë se çfarë ndodhi këtu tek ne, dhe ne kuptojmë sa e vështirë është për ata njerëz që kanë njerëzit poshtë rrënojave”, tha ai./

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re