Gazetarja Aida Topalli ishte e ftuar këtë mëngjes në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, ku ka folur për një nga aktivitetet e jashtëligjshme që është përhapur mjaft kohët e fundit.

Qendrat e maszhit që ofrojnë edhe shërbime seksuale kanë qenë në fokusin e policisë vitin që lamë pas, kur kishin edhe kulmin e tyre.

Topalli tregoi se mjafton që të shkruash në faqen e këtyre qendrave, të cilat tashmë kanë filluar ta fshehin më mirë aktivitetin e tyre.

“Mjafton të shkruash në faqen që mund të kenë, të lësh orarin dhe të marrësh shërbimin dhe zakonisht të pyesin nëse do shërbim normal apo me “happy ending”.

Në vitin 2023 ishte kulmi i qendrave të masazhit, që patën kulmin por edhe rënien më drastike. Ajo çka është e re është se sot në Tiranë nuk i gjejmë më kaq sheshit. Sot duhet të kesh mik dhe të shkosh me besueshmëri të plotë. Rezulton të jenë zhvendosur në periferi. Kanë filluar edhe ata të ruhen si çdo vepër tjetër e paligjshme”, tha Topalli.

Ajo tregoi se këto qendra janë përhapur edhe në qytete të tjera dhe një rast që i ka bërë përshtypje është Thumana.

“Kemi qendra masazhesh edhe në Thumanë. Ka qendra të tilla masazhesh edhe në qytete të tjera të mëdha siç është Durrësi, Elbasani, Shkodra. Në Vlorë gjithashtu ka, por ajo që më habiti është Thumana. Zakonisht shkojnë klientë që nuk janë vendas dhe nuk duan të njihen”, tha gazetarja.

Topalli theksoi gjithashtu se arsyet që i shtyjnë vajzat që punojnë në këto qendra të ofrojnë të tilla shërbime, janë kryesisht ekonomike.

“Më është dashur të bisedoj edhe për të kuptuar edhe pjesën sociale, pse e bëjnë, sidomos kur ka pasur vajza 16, 17 vjeç dhe kur je në atë moshë nuk e kupton dhe manipulohesh shumë lehtë.

Arsyet kryesisht janë ekonomike. Ka vajza që vijnë nga familje të varfra, ka vajza që bëjnë një punë normale dhe bëjnë këtë punë për ca para shtesë. Jam e bindur që asnjëra prej tyre nuk e bën me dëshirë, e bëjnë për arsye ekonomike”, tregoi Topalli, teksa shtoi se pagesat variojnë nga 50 mijë lekë të vjetra në 100 mijë lekë të vjetra për klient.

Ajo tha ndër të tjera se ka edhe djem në Shqipëri që ofrojnë shërbime të tilla, edhe pse shumë herë më pak se vajzat, por jo në qendra masazhi.

“Ka edhe djem që ofrojnë shërbime seksuale të tilla në Shqipëri, por janë shumë herë më pak se vajzat. Janë meshkuj sikurse vajzat eskorta. Unë nuk di raste që të kemi meshkuj që punojnë në qendra masazhesh në këmbim të një favori seksual”, tha Topalli. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re