Skip to content

Qëndrimi i delegacionit të BE në Panorama TV për legalizimin e kanabisit, reagon Tedi Blushi: E përshëndesim! Në narkoshtetin e Ramës…





Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe njëherësh anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, ka përshëndetur qëndrimin e delegacionit të Bashkimit Europian në Panorama TV për legalizimin e kanabisit, të cilët kishin rezervat e tyre për këtë nismë.

Përmes një reagimi në Facebook, Blushi shprehet se në narkoshtetin e kryeministrit Edi Rama, zyrtarët e qeverisë dhe të Policisë janë të përfshirë direkt në trafikun e drogës.

E përshëndesim qëndrimin e qartë të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri lidhur me vendimin e pakonsultuar dhe shumë të rrezikshëm të Qeverisë për legalizimin e kanabisit, që nuk është gjë tjetër veçse një nismë në funksion të legalizimit zyrtar të narkoshtetit.

Ndajmë të njëjtat shqetësime me partnerët europianë, të shprehura vetëm pak muaj pasi DEA (Agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve) hapi një linjë të posaçme sinjalizimi për vendin tonë dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të denonconin trafiqet e drogës.

Narkoshteti i Edi Ramës, ku zyrtarët më të lartë të Qeverisë dhe të Policisë janë të përfshirë direkt në trafikun e drogës, me paratë e të cilit blejnë zgjedhjet, nuk mund të kultivojë kurrsesi kanabis “për qëllime mjekësore” por vetëm për qëllime politike dhe financiare okulte.

Moskonsultimi me BE dhe SHBA, injorimi i shqetësimeve dhe rekomandimeve të tyre, detyrimeve dhe parimeve shumë të rëndësishme të funksionimit të një shteti ligjor, që synon anëtarësimin në familjen europiane, do të thotë se interesi i vetëm i kësaj NarkoQeverie është pasurimi i trafikantëve të saj në kurriz të jetës e shëndetit të qytetarëve dhe cënimit serioz të sigurisë kombëtare me pasoja të shumanshme”, është shprehur Blushi.

“Delegacioni i BE-së është në dijeni për miratimin nga Qeveria shqiptare të një projektligji për të lejuar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Në këtë kontekst, çdo nismë që lejon kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale duhet të vlerësohet tërësisht në raport me aftësitë administrative dhe ligjzbatuese të vendit”- thuhet në reagimin për Panorama TV.

Qeveria miratoi të premten që shkoi projektligjin për kultivimin e kanabisit për qëllim industrial. Megjithatë nisma e qeverisa ka hasur kundërshti edhe nga opozita e cila e ka konsideruar si taksë që kryeministri Rama paguan ndaj bandave të cilat e mbajnë në pushtet.

“”