Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vlerësuar thirrjen dhe qëndrimin e OSBE/ODIHR për nevojën e menjëhershme të fillimit të punës për Reformën Zgjedhore.

Basha u bëri thirrje palëve të ndalin lojërat politike për interesat vetjake dhe të nisin të gjithë bashkë punën për t’u dhënë shqiptarëve një Reformë Zgjedhore në përputhje me pritshmëritë dhe aspiratat e tyre

“Vlerësoj thirrjen dhe qëndrimin e OSBE/ODIHR për nevojën e menjëhershme të fillimit të punës për Reformën Zgjedhore. I bëj thirrje të gjitha palëve të ndalin lojërat politike për interesa vetjake dhe të nisim punën gjithpërfshirëse për t’u dhënë shqiptarëve një Reformë Zgjedhore në përputhje me pritshmëritë dhe aspiratat e tyre”, thuhet në reagimin e kreut demokrat.

Kujtojmë se zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), tha nisma e autoriteteve shqiptare për të rifilluar reformën zgjedhore në vend, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, është një zhvillim i rëndësishëm dhe pozitiv, në një proces që ka shërbyer tashmë si shembull i praktikës së mirë për rajonin dhe më gjerë.

“Ne mirëpresim vendimin e autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë angazhimin e tyre ndaj këtyre reformave jetike, kaq kohë përpara zgjedhjeve,” tha drejtori i OSBE/ODIHR-it, Matteo Mecacci. “I nxisim të gjitha palët që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në muajt në vijim, duke siguruar që reformat që do të pasojnë të përmirësojnë procesin zgjedhor për të mirën e të gjithë shqiptarëve”.

OSBE/ODIHR kërkoi që përparësi kryesore në reformë të jenë parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike dhe shitblerja e votës, sigurimi i fshehtësisë së votës, mbrojtja e lirisë së medias dhe rritja e efektivitetit të administratës zgjedhore.

“Është e një rëndësie vendimtare që të vendosen objektiva praktikë dhe realisht të arritshëm, që fokusohen në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe në adresimin e mangësive të vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndër përparësitë kryesore janë parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike dhe shitblerja e votës, sigurimi i fshehtësisë së votës, mbrojtja e lirisë së medias dhe rritja e efektivitetit të administratës zgjedhore”, thuhej në reagim.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re