Nisja e linjës së re ajrore Air Albania, ka provokuar te zëra opozitarë, përgjithësisht në rrjete – por pak kohë më parë dhe zyrtarisht nga selia – po atë lloj reagimi që shoqëron si tabiat pothuajse të dy kahjet e politikës, ç’prej kur hyri epoka pluraliste; mohimin me çdo çmim e çdo mënyrë të punës së tjetrit, rivalit në këtë rast.

Air Albania është investimi më i madh deri më tani në 5 vite të qeverisjes Rama. Dhe ky i fundit nuk e ka fshehur që kjo kompani është falë një partneriteti strategjik Shqipëri – Turqi. Nuk e ka fshehur gjithashtu se Air Albania-n e ka mundësuar si kompani Turkish Airlines, që vitet është shndërruar në lider botëror në tregun e fluturimeve ajrore. E sot, por dhe pak kohë më parë, është tentuar edhe nga selia blu për ta njollosur me patjetër këtë investim, për t’i gjetur yçkla, si e si të kundërshtari politik të mbetet pa asnjë meritë në qeverisje, të jetë një zero, një hiç…

E njëjta simptomë e ngjashme u shfaq dhe në rastin e ndërtimit të Rrugës së Kombit, puna më e madhe e ish-qeverisjes Berisha në planin infrastrukturor. Edhe atëherë, opozita që sot është në pushtet, iu vu keqaz, duke denoncuar jo rrugën por aferat. Megjithatë ka një ndryshim në dy rastet.

Te rruga, pjesë kishte dhe PS, e cila kishte ngulur kazmën e parë nën qeverisjen “Majko”. Por padyshim që meritën e madhe e pati PD që vendosi ta jetësojë, ta bëjë realitet. PS nisi të ngacmohet vetëm kur Arben Meçe, një ish-eksponent demokrat zbuloi aferën 230 milion, për të cilën u vu në shënjestër Basha si ministër Transporti. Së këndejmi nisi dhe reagimi opozitar,të cilin pushteti atëhershëm, mu për shkak të sensibilitetit nacional e patriotik që kishte ajo rrugë, e cila afronte dhe gati e bënte njësh Shqipërinë me Kosovën, nisi ta kompleksonte kundërshtarin duke shpallur e propaganduar se “nuk e do rrugën”, e përkthyer pra se nuk do afrimin e shqiptarëve në dy kahjet e kufirit. Dhe siç e dimë, paçka se afera 230 milion nuk u zbardh kurrë, një pjesë e akuzave të opozitës, ato që kishin të bënin me keqmenaxhim të investimit, rezultuan të vërteta. Rruga dhe sot e kësaj dite, përkundër emrit të madh që ka, si një monument krenarie kombëtare, është gjysmake dhe me plot probleme.

Nga ana tjetër, Air Albania nuk rezulton të ketë asnjë problem financiar. Akoma nuk ka nisur fluturimet me pasagjerë dhe ende nuk mund të thuhet se ka këtë apo atë problem në shërbime. Dikush, nga kampin opozitar, ka kapur një detaj krejt teknik në aspektin protokollar, që gjithsesi nuk e kompromenton atë që është më e nevojshme për tregun fluturimeve: një kompani që ofron standarte më të mira, çmime më të lira dhe që në një plan më të gjerë marketon prestigjin nacional. Dhe, siç PD dje në pushtet, shtronte pyetjen provokative nëse opozita do të udhëtonte në Rrugën e Kombit – dhe sigurisht që udhëton – tashmë mund t’i kthehet e njëjta pyetje nëse ajo do udhëton me Air Albania.

Sot, opozita ka rastin të themelojë një standart moral: të mos e bëj atë që ka bërë kundërshtari me të, e që mund ta bëjë sërish nesër kur dhe ajo të ndërtojë një vepër apo të realizojë një investim të madh.

Gati e pamundur, por i duhet thënë…

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re