Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar përplasej në distancë mes kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti për situatën në Kosovë.

Lubonja u shpreh se ajo që ka ndodhur me qëndrimin e ndërkombëtarëve për situatën ka të bëjë me arsyet gjeostrategjike, për shkak të së cilave Perëndimi ka nxitur negociatat mes vendeve.

Ai shtoi se qëndrimi i Perëndimit ndryshoi për Kosovën pas reagimit të dhunshëm serb në veri duke e parë gjendjen në kontekstin e luftës në Ukrainë. Lubonja tha se në qëndrimin e Perëndimorëve ky konflikt nuk duhet të ndodhë dhe për këtë duhet të sakrifikohet Kosova.

Sa i përket qëndrimit të kryeministrit Rama, Lubonja e cilësoi “më dramatizues se Perëndimi” dhe alarmant.

Sipas tij Rama po shfrytëzon rastin ku në vend t’i japë një dorë Kurtit, por krijon atmosferën si një përfaqësues i Ballkanit.

“Dje Foreign Affairs thoshte se pse po gabon Blinken me Kosovën. Pra me këto presionet. Kur flet një revistë e tillë prestigjioze, të paktën ne këtu duhet të ekuilibrohemi pak me këtë idenë e Amerikës. Ka mendime të ndryshme për këtë çështje. Ajo që ka ndodhur është se për arsye gjeostrategjike kanë dashur negociata me Serbinë. Është një proces i gjatë me dështime të ndërkombëtarëve dhe kanë lënë një shtet që e mbron ushtria e KFOR-it.

Kjo është minimalja që kërkon një komb. Nuk e zgjidhin dot. Kur vjen puna te zgjedhjet Kurti kërkoi mendim dhe i thanë të kryhen se do njihen. Problemi është se ndodhi reaksioni serb duke plagosur trupat e KFOR-it. Pyetja është se pse ndryshuan këta. Ka ndodhur sepse ky konflikt u pa nën kontekstin e luftës në Ukrainë. Nuk donin një Mitrovicë si Donbasi në Ukrainë dhe të hyjë Vuçiçi me tanke.

Çështja është se në raport me këtë krizë, pozita e Perëndimit është një trajtim i Kosovës si për të thënë që “rrini urtë se kemi këtë që na krijon telashe”, pasi kemi hallin e Ukrainës. Nuk është as për Asociacionin. Ky konflikt nuk duhet dhe duhet të sakrifikohet Kosova se është më kollaj. Kosova nuk ka ku ikën, Vuçiçi shkon nga Putini nëse do dhe ka luajtur kartat e tij me sukses.

Qëndrimi i Ramës për mua është më dramatizues se Perëndimi. Është krejt alarmant dhe i nënshtruar. Rama tha se ka zero rrezik për Kosovën nga Serbia. Atëherë pse u alarmuan këta? E keqja është se ky po prish raportin me ndërkombëtarët. Unë gjykoj se ka rrezik. Rama po shfrytëzon rastin, ku në vend t’i japë një dorë Kurtit, po krijon një atmosferë si përfaqësues i Ballkanit së bashku me Vuçiçin. Kurti këtu ia ka prishur pak fijet, sepse dhe Open Balkan ishte anashkalim i Kosovës”, u shpreh ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re