Skip to content

‘Qëndrojmë krah për krah me ju’ / Ambasada e SHBA reagon për forcat amerikane që stërvisin ushtarët shqiptarë

227612587 10158401255090838 7221248562864286030 n

Forcat ushtarake shqiptare janë stërvitur së bashku me ato amerikane. Gjatë stërvitjes morën pjesë zyrtarë të lartë të ambasadës amerikane, por edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Në njoftimin e Ambasadës thuhet se Forcat Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësuan skuadrat e Forcave Speciale Shqiptare përmes stërvitjeve të ndryshme.

Më tej ambasada thotë se forcat amerikane kanë stërvitur ushtarakët e Forcave Speciale Shqiptare në fusha të shumta specializimi, duke përfshirë aftësitë në qitje, mjekësi dhe komunikimi.

Njoftimi i Ambasadës Amerikane:

Zyrtari i Lartë dhe Atashehu i Mbrojtjes në Ambasadën Amerikane në Tiranë David Millner, Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit në Mbrojtje Erol Munir dhe Zëvendës Shefi London Nagai, Ministri shqiptar i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral Major Bajram Begaj, morën sot pjesë në një stërvitje dhe garë aftësish ushtarake, ku Forcat Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësuan skuadrat e Forcave Speciale Shqiptare përmes stërvitjeve të ndryshme. Ky ishte aktiviteti përmbyllës pasi ushtarët nga Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë (SOCEUR) kanë stërvitur Forcat Speciale Shqiptare përgjatë gjithë muajit korrik. Forcat amerikane kanë stërvitur ushtarakët e Forcave Speciale Shqiptare në fusha të shumta specializimi, duke përfshirë aftësitë në qitje, mjekësi dhe komunikimi. Ky ishte trajnimi i parë nga Forcat Speciale Amerikane që u zhvillua në Shqipëri që nga viti 2017 dhe tregoi se megjithëse Defender Europe 21 ka mbaruar, ne vazhdojmë të stërvitemi së bashku, të punojmë së bashku dhe të qëndrojmë, #KrahPerKrah, gjithmonë.

/faxweb