Një histori e çuditshme raportohet nga qyteti i Elbasanit, ku prokuroria është “ngritur në këmbë” për të gjetur vrasësin e një qelbësi pak kohë më parë.

Lajmin e raporton me nota ironie gazetari Elton Qyno, i cili shkruan se teksa në Elbasan mbizotërojnë vrasjet, vjedhjet duke e krahasuar edhe me Medelinin, prokuroria e këtij qyteti po merret me këtë çështje të “rëndësishme”.

Ajo që është me e çuditshme është se drejtësia po përndej shtetasin Qani Malja, qentë i të cilit kanë mbytur në ferra pikërisht qelbësin.

Shkrimi i plotë i gazetarit Elton Qyno:

Kaq vite punë si gazetar kronike dhe që mbuloj aktivitetin e Gjykatave dhe Prokurorive në vend, kam shkruar për hallexhinj, bosa droge, vrasje, fajtorë e të pafajshëm, e për maç e për kuç.

Por s’do ma kishte marë ndonjëherë mendja, që do vinte një ditë që unë të rradhisja disa rreshta dhe për Qaniun e Belshit.
Qani Malja, ka një hall mjaft të madh me policinë e Elbasanit dhe prokurorinë e këtij qyteti. Dara e hekurt e drejtësisë tonë, po përndjek ligjërisht Qaniun, pas dyshimeve të forta se ai është autori kryesor i masakrimit të një kafshe të egër, Qelbës.

Dhe kjo vjen në një kohë kur qyteti i Elbasanit, ka filluar ti ngjajë Medelinit, pasi numri i vrasjve, vjedhjeve, shpërndarja e drogës dhe dominanca e grupeveve kriminale, është rritur ndjeshëm.

Për të luftuar krimin, Drejtoria e Qarkut Elbasan, ka lëshuar urdhëresat për të gjithë komisariatet e zonës, që të raportojnë dhe hetojnë çdo ngjarje dhe veprimtari të paligjshme.

Dhe ja çfarë ndodhi, e si ndodhi, një krim i rëndë në fshatin Gradishtë, në zonën e Belshit. Sipas komunikatës operative të Komisariatit të Cërrikut, “hataja” paska ndodhur në 16 tetor 2021, ku rreth orës 02:00 pranë një ferre, në rrugën e Malit të Gradishtës, është konstatuar e ngordhur një kafshë e egër Qelbës, me dëmtime të shumta në pjesën e gushësh dhe të hundës.

Menjëherë është ngritur grupi i hetimit duke ndarë rolet e gjithësecilit. Ndërsa për kryerjen e veprimeve operative-kërkimore, ose siç thuhet ndryshe “krehje të zonës” është lënë oficeri policisë Xhelal Dyrmishi.

Madje në vendgjarje, thonë se paska shkuar dhe shefi i komisariatit dhe është vënë në dijeni dhe drejtuesi i prokurorisë Elbasan, për të koordinuar hetimin në terren, me teknikat speciale të tjera në qëndër.
Madje është dhënë urdhëri, që për këtë atentat me mbytje ndaj Qelbësit, të mos njoftohen as gazetarët e Elbasanit dhe as të Tiranës.

Gjithçka të mbetet në heshtje, deri në zbardhjen e enigmës dhe autorit të krimit.

Por ja që dhe enigmën e natës kur kishte ndodhur krimi, e ndriçoi dielli i mëngjesit, pasi nga veprimet e kryera u kuptua gjithçka, madje u zbulua dhe autori i krimit.

Rezultoi se kjo kafshë, (Qelbësi), është mbytur nga qentë e shtetasit Qani Malja, nga fshati Gradisht i Belshit.
Dinamika e krimit paskërka qënë kjo.

Qeni i Qaniut, ka konstatuar Qelbësin se po afrohej pranë zonës që Qeni i Qaniut, atë natë kishte në mbulim për ruajtje. Sapo Qelbësi, ka kaluar vijën e kuqe, Qeni i Qaniut, është hedhur në aksion, duke u përleshur me Qelbësin.

Si pasojë e përleshjes trup më trup, Qeni i Qaniut, i ka shkaktuar plagë të rënda në hundë dhe gushë Qelbësit, duke i sjellë atij ngordhjen. Sigurisht që pas këtij krimi, Qeni i Qaniut, iku nga vëndgjarja.

Tanimë që është faktuar plotësisht që Qeni i Qaniut, paska mbytur Qelbësin. Policia e Elbasanit, ka çuar në prokurori material hetimor për Qaniun, duke kërkuar vlerësimin e çështjes nga ana penale.

Ju miq Jurista dhe ekspertë të nivelit të Lartë të Reformës në Drejtësi, e zbërtheni dot këtë ekuacion ligjor?
Mendoni se Qaniu, e hedh këtë lumë?

Cili nen i Kodit Penal e kap Qaniun, kur krimin e mbytjes e paska bërë, Qeni i Qaniut?

A e përthith bashkëpunimi Qaniun, në këtë krim?

Tashmë në policinë dhe prokurorinë e Elbasanit, kjo është dilema dhe enigma më e madhe e kësaj çështje, kualifikimi i saktë i veprës penale në ngarkim të autorit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re