Sot është prezantuar projekti i gjimnazit “Sami Frashëri” që do të nisë rindërtimin pasi u dëmtua nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit. Përveç krytetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, në prezantim morën pjesë edhe deputetë të tjerë të PS si Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj.

Teksa mbante fjalën e tij nga mjediset e Muzeut Kombëtar, kryebashkiaku zbuloi cfarë thonë Rama dhe Ahmetaj kur dëgjojnë idetë e tij “të çmendura”.

“Keni ardhur në këtë takim të parë, është si një fejesë ku fton më të afërmit e fisit para se të kemi një dasëm të madhe. Në fakt do të fillojmë punën e shkollës dhe pastaj me një festë kur të lindë shkolla e re. Siç funksionon në një familje, kështu funksionon dhe familja jonë e madhe kështu që Beni faleminderit për fjalët e mira dhe për atë rezyme. Falë Benit që është krahu i djathtë i kryeministrit në të gjithë projektin e rimëkëmbjes dhe rikuperimit ekonomik dhe të infrastrukturës, edhe ne kemi filluar 3000 pagesat e para cash në Tiranë.

Beni është duke qeshur sepse sa herë që them unë idetë e çmendura, ai dhe kryeministri thonë që lali Erin mos e dëgjoni sepse mund t’u shesë edhe akull eskimezëve. Po ju vura unë diçkaje…”- tha Veliaj.

Kryebashkiaku solli në vëmendje edhe personat që ankohen për ndërtimet duke thënë se gjithçka bëhet për të pritur brezat e rinj që shtohen çdo ditë.

“Kur dëgjoj këta që thonë ndërtime, ndërtime – patjetër, do të ketë ndërtime për sa kohë Tirana rritet me 25 mijë vetë në vit; do të thotë 4-5 mijë apartamente në vit. Do të ketë ndërtime sepse ndryshe i bie që gjenerata e këtyre që janë të “Samiut” sot, për të marrë një shtëpi do të duhet të luajnë një episod si ‘’Hunger games’’. Por, një gjë nuk e kemi bërë kurrë: nuk kemi rrëzuar kurrë një shkollë për të bërë një pallat, përkundrazi nëse është rrëzuar, si rasti i ‘’Sami Frashëri’’, kemi për ta bërë më të mirë, më të madhe dhe më të qëndrueshme për të gjithë gjeneratat që vijnë”, theksoi Veliaj, ndërsa solli rastin e shkollës “Kosova” e cila u dogj dhe ku u tentua gjatë qeverisjes së mëparshme të bëhej pallat”, tha Veliaj.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re