Klement Çupi qëndroi nën rrënoja 16 orë dhe luftonte me forcë e buzëqeshje që të dilte nga aty, por pa ia dalë dot deri në fund. Hamza dhe Hajredin Çupi i qëndruan pranë nipit të tyre dhe tregojnë se gjatë orëve që ka qëndruar nën rrënojat e Thumanës, ai ka komunikuar vazhdimisht me ta.

Klementi është djali 35-vjeçar që i qeshi aparatit fotografik pak minuta para se të mbyllte sytë, kishte ardhur nga Anglia se fejonte vëllain.

“Herën e fundit kam folur, 5 minuta para se me dhënë jetë. Thoshte më ndihmoni, ndihmë o xhaxhi, ndihmë më shpëtoni. Aman më shpëtoni, jam gjallë, aman vetëm më shpëtoni. Ishte i bllokuar në të dy krahët, në këmbë dhe në mes. Jetën e humbi nga rrjedhja e gjakut nga këmba. Nuk arritëm dot.

Nuk ishte mundësia, nuk e di, ishin shumë betone sipër, shumë gjëra… U munduan boll ata të ndërhyrjes greke dhe të Kosovës. U munduan boll, madje njëri nga Kosova bërtiste, Kel qëndro dhe pak, por nuk arritën dot ta shpëtonin.

Në momentin që kanë arritur tek i ndjeri, në momentin që kanë prerë traun ai ka dhënë jetë. Atëherë e lanë në moment aty, mbrapa kemi ndërhyrë e kanë filluar dhe e kanë nxjerrë, është nxjerrë në mëngjes”, rrëfeu xhaxhai i Kelit për “tvklan”.

I vetmi i mbijetuar nga familja Çupi është Nicole, djali i vogël i shtëpisë që fejohej këto ditë. Nëna, babai dhe vëllai i madh humbën tragjikisht jetën. Sipas rrëfimeve djemtë e kthyer nga emigrimi ishin shtrirë për të fjetur me prindërit natën e 26 nëntorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re