Ish-presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbayev tha mbrëmë se protestat e fundit vdekjeprurëse janë organizuar me qëllim që të shkatërrohen parimet themelore, si dhe integriteti i vendit.

Në një video-mesazh të ndarë nga zëdhënësi i tij Aidos Ukibay, Nazarbayev iu drejtua kombit për herë të parë që nga shpërthimi i protestave, të cilat shkaktuan të paktën 225 jetëhumbje që nga 2 janari.

Ish-presidenti Nazarbayev tha se ngjarjet që ndodhën treguan se duhet mbrojtur ndërvarësia e njerëzve, duke shtuar se do të ishte e rëndësishme të zbulohej se kush qëndron pas sulmeve dhe vrasjeve.

Nazarbayev kujtoi se ai ia dorëzoi kompetencat e tij presidenciale në vitin 2019 presidentit aktual të Kazakistanit, Kasim-Yomart Tokayev dhe se që atëherë ai jeton në kryeqytet, pa e lënë atë.

Ai gjithashtu theksoi se nuk ka pasur mosmarrëveshje apo konflikte mes elitës në atë vend.

Duke theksuar se ai i kishte shërbyer Kazakistanit për tre dekada dhe kishte kryer reforma progresive duke krijuar një shtet të pavarur, Nazarbayev tha se pasardhësi i tij Tokayev kishte ndërmarrë gjithashtu hapa drejt reformave të reja që synojnë përmirësimin e mirëqenies publike dhe se duhet të mbështetet.

Më 2 janar, në qytetin Zhanaozen në rajonin Mangistau në Kazakistan, shpërthyen protestat për rritjen e çmimit të karburantit, të cilat u përhapën shpejt në të gjithë vendin dhe u kthyen në përleshje me policinë, me dhunën më të madhe në ish-kryeqytetin dhe qytetin më të madh Almaty.

Tokayev shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend dhe u bëri thirrje forcave paqeruajtëse të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive.

Situata në Kazakistan është konsoliduar, paqeruajtësit janë larguar nga vendi dhe gjendja e jashtëzakonshme është hequr.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re