Ndërsa qeveria përgatitet të prodhojë vetë pasaportat shqiptare, një reagim vjen nga delegacioni i BE në Tiranë. Në përgjigje të interesit të ABC News lidhur me këtë çështje, delegacioni i BE, thotë se pret të informohet nga autoritetet shqiptare për standardet e sigurisë që do të zbatohen për dokumentet e reja.

Delegacioni thekson ndër të tjera se është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve.

“Ne jemi të gatshëm që ekspertët e Komisionit Evropian të shqyrtojnë procedurat e lëshimit dhe dokumentet e reja të identitetit që do të prodhohen. Dëshirojmë të kujtojmë se siguria e dokumenteve ishte një nga standartet e përfshira në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, që çoi në regjimin pa viza për qytetarët shqiptarë kur udhëtojnë drejt BE-së që prej vitit 2010. Prandaj është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve.”- thuhet në reagim.

Përgjigjja e plotë e delegacionit të BE në Tiranë për gazetaren e ABC News, Esiona Konomi:
Autoritetet shqiptare janë të lira të zgjedhin çdo ofrues që dëshirojnë për prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave dhe kartave të identitetit.
Çdo ofrues i ri duhet të përmbushë standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për sa i përket sigurisë së pasaportave, që përfshin, ndër standardet e tjera, infrastrukturën e përshtatshme, siç janë mjediset e sigurta të stampimit.

Gjithashtu, çdo vend që përfiton nga regjimi i liberalizimit të vizave pritet të zbatojë standardin më të lartë të ekspertizës dhe integritetit në prodhimin e dokumenteve biometrike. Procesi i menaxhimit të identifikimit dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve është me rëndësi shumë të madhe.
Presim që autoritetet shqiptare të na informojnë për standardet e sigurisë që do të zbatohen për dokumentet e reja.

Ne jemi të gatshëm që ekspertët e Komisionit Evropian të shqyrtojnë procedurat e lëshimit dhe dokumentet e reja të identitetit që do të prodhohen.
Dëshirojmë të kujtojmë se siguria e dokumenteve ishte një nga standartet e përfshira në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, që çoi në regjimin pa viza për qytetarët shqiptarë kur udhëtojnë drejt BE-së që prej vitit 2010. Prandaj është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re