Para Bashkisë së Tiranës po zhvillohet protesta e radhës. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teleti, është shprehur se ky institucion “është kthyer në shpellë të thellë korrupsioni dhe klientelizmi”.
Ai u shpreh se qeveria ka ngritur në piedestal korrupsionin, ndërsa shtoi se është detyra e opozitës për ta rikthyer në shinat e demokracisë, Shqipërinë.
“Bashkia e Tiranës, institucion që është kthyer në shpellë të thellë korrupsioni dhe klientelizmi, që ne do ta zbrazim një ditë. Do ta zbrazim nga ata që po abuzojnë me taksapaguesit e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Do ta zbrazin nga ata që ndërtojnë kulla për miqtë e tyre, ata që shkatërrojnë të ardhmen.
E patë dje si fliste kryeministri për luftën e korrupsionit. E ka një provë të parë për ta dhënë, pasnesër, në mbledhjen mujore normale e Këshillit Bashkiak. A do ketë fuqi Edi Rama ta sjellë Erion Veliaj të vijë në Këshillin Bashkiak për të dhënë llogari përpara këshilltarëve. Nëse ka fuqi ta sjellë Erion Veliaj pasnesër, po atëherë mund të flasë për anti-korrupsionin. Por ai është i përlyer, janë një grup i struktuar që po tradhtojnë Shqipërinë, që po vjedhin pronën publike. A ka fuqi kjo qeverisje të luftojë korrupsionin, që vetë e ka ngritur në piedestal. Jo. Ndaj protesta duhet të vazhdojë. Është në kurrizin tonë për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë”, tha Teliti.
