Presidenti i SHBA-ve Donald Trump në vizitën e tij në Japoni, në kuadër të turit aziatik, u takua me kryeministrin Shinzo Abe.
Sipas agjencisë japoneze të lajmeve Kjodo, Trump dhe Abe gjatë takimit dypalësh në Pallatin Akasaka, diskutuan për tregtinë mes SHBA-ve dhe Japonisë, për çështjet dypalëshe dhe për çështjen e Koresë së Veriut.
Trump i cili u takua me Abe në një drekë pune, në deklaratën para takimit dypalësh tha se janë të vendosur për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
“Ne po realizojmë një përparim të jashtëzakonshëm sidomos në reduktimin e deficitit në tregtinë dypalëshe, duke zhvilluar marrëdhënie të drejta dhe të barabarta tregtare”, tha ai.
Trump edhe në konferencën për media, të mbajtur pas takimit me Abe, tha se qeveria e Koresë së Veriut është një “kërcënim për botën e civilizuar”.
Ai tha se nuk do të “gëlltisin” që qeveria e Phenianit të kërcënojë SHBA-të apo aleatët e saj. “Disa thonë se fjalimet e mia janë shumë të ashpra, por shikoni se çfarë kanë shkaktuar fjalimet e buta të bëra gjatë 25 viteve të fundit”, tha Trump.
Kurse Abe tha se kanë realizuar një “takim të thellë” dhe se po presin vazhdimin e takimeve bilaterale.
Duke folur për sulmin e armatosur në shtetin federal amerikan Teksas, ku humbën jetën 26 persona dhe të paktën 20 të tjerë u plagosën, Abe shprehu ngushëllime për familjarët e atyre që humbën jetën. “Dua të shpreh se solidariteti më i sinqertë i yni është me popullin amerikan në këtë kohë të vështirë”. aa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re