Qeveria e Kosovës i është përgjigjur propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga ekzekutivi thonë se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.

Në ekzekutivin kosovar thonë se Asociacioni është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe se ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë do të kuptojnë qëllimin e Serbisë për krijimin e një “Republika serbe” në Kosovë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress thotë se qëllimi serb për Asociacionin shihet edhe së fundmi me nonpaper-in e Akademisë së Shkencave dhe të Artit të Serbisë ku flet për “Botën serbe”.

Në anën tjetër, propozimi i draft-statutit të Asociacionit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pa konsultim me institucionet kosovare po shihet më shumë si tentim për protagonizëm të tij, nga analistët politikë në Kosovë dhe Shqipëri.

Analisti politik, Albinot Maloku thotë për KosovaPress se këtë iniciativë të kryeministrit Rama do të konsideronte asistim për Qeverinë e Kosovës, sikur situata të ishte më ndryshe e jo në vlugun e tensioneve Kosovë-Serbi.

Ai kërkon nga Shqipëria që të ketë rol më të madh në mbështetje të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Edhe analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni thotë për KosovaPress se mënyra si është sjellur në publik ky draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë tregon për një protagonizëm të Ramës në këtë proces, sesa një kontribut të madh për Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë kësaj jave bëri të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Ky dokument në bazë të raportimeve të premten është vlerësuar si serioz nga Bashkimi Evropian.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionin edhe në kuadër të marrëveshjes të Brukselit dhe të Ohrit./KosovaPress

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re