Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), janë nënshkruar kontratat midis 38 federatave sportive të Kosovës dhe kryeministrit Avdullah Hoti për ndarjen e mjeteve financiare nga fondi për mbështetjen e sportit në kohë të pandemisë.

Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, tha se edhe pse viti 2020 ka qenë i rëndë si pasojë e pandemisë, MKRS ka punuar në infrastrukturë dhe ndërtimin e stadiumeve, fushave sportive, pishinave, fushave të tenisit, sallave sportive të basketbollit dhe hendbollit e të tjera, ku deri më tani ka shpenzuar rreth 4 milionë euro.

Ajo tha se federatat përfituese të këtij fondi e kanë bërë krenare Kosovën me sukseset e tyre vazhdimisht dhe institucionet duhet të kujdesen tani për to.

“Sot ne do t’u dorëzojmë secilës federatë pjesën të cilën ju si kryeministër keni treguar kujdes të veçantë për sportin, rininë dhe kulturën duke ndarë 5 milionë euro për t’i ndihmuar këto organizata sportive”, tha ministrja Dumoshi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u ka kërkuar federatave respektim të masave kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), ndërsa gjithashtu u premtoi atyre mbështetje edhe për vitin e ardhshëm.

“Unë besoj se me këto arrijmë t’i zbusim nevojat që i keni. Shpresoj që vitin e ardhshëm, ndoshta në dy-tre muajt e parë do të përballemi me pandeminë, pastaj do ta tejkalojmë këtë gjendje. Edhe vitin e ardhshëm e kemi paraparë një pako mbështetëse që përfshin dhe fushën e kulturës, rinisë dhe sportit”, tha Hoti.

Siç tha kryeministri Hoti, mbështetja që qeveria po ua jep federatave është favor dhe jo obligim i tyre. Ai pranoi se tashmë janë shkaktuar dëme të mëdha në secilin sport në Kosovë por për ta tejkaluar këtë duhet “bashkëpunim dhe bashkërendim i veprimeve”.

Qeveria e Kosovës në shtator të këtij viti kishte marrë vendim për ndarjen e 2,5 milionë eurove për kulturë, rini dhe sport, shumë e cila ka qenë në kuadër të 87 milionë eurove nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike. (Agjencia Anadolli – AA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re