Gjatë ditëve të fundit muslimanët e Arakanit në mënyrë të dëshpëruar po presin në zonat kufitare për të kaluar në Bangladesh, për shkak se qeveria e Mianmarit nuk lejon kalimin e anijeve nga lumi Naf për në Bangladesh.
Zëdhënësja e Këshillit Evropian për Muslimanët Rohingya (ERC) Dr. Anita Schug në një deklaratë për gazetarin e Anadolu Agency (AA) tha se ushtria e Mianmarit ka penguar kalimin e muslimanëve të Arakanit në Bangladesh. “Në të njëjtën kohë po i djegin shtëpitë. Nëse muslimanët e Arakanit hyjnë nëpër fshatra sepse janë të uritur, ata vriten nga ushtria”.
Duke vënë në dukje se gjatë ditëve të fundit nuk lejohet afrimi i anijeve në brigjet e lumit Naf në pjesën e Mianmarit, të cilat i dërgojnë muslimanët e Arakanit në Bangladesh, Schug thotë se “Për këtë arsye shumë njerëz hidhen në lum dhe mbyten. Edhe ata që mbeten ballafaqohen me rrezikun e vdekjes për shkak të urisë”.
Ndërkohë burimet lokale thonë se mijëra persona kanë mbetur të bllokuar në zonat kufitare dhe se gjatë mbrëmjes përpiqen të hyjnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale, duke e rrezikuar jetën e tyre.
Përgjegjësi i Programit për Ndihma Emergjente për emigrantët e Arakanit, të Vakëfit të Dijanetit Turk (TDV), Ibrahim Carlos Clavijo, në një deklaratë për gazetarin e AA-së, duke rikujtuar takimin e ministrit të Punëve të Jashme të Bangladeshit Mahmud Ali me Sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës së Mianmarit U Kyaw Tint Swe më 2 tetor, tha se:
“Aq sa ne dëgjuam, tani këto dy shtete kanë rënë dakord në një mënyrë. Bangladeshi ka thënë ‘më mos të vjen askush nga ajo anë këtu’. Bangladeshi ka ngarkesa të shumta dhe në qoftë se kufijtë mbesin të hapur, në këtë shtet mund të kalojnë edhe 100 mijë persona. Për këtë arsye ushtria e Mianmarit nuk lejon kalimet në Bangladesh”.
Duke vënë në dukje se vazhdojnë ikjet nga Arakani nëpërmjet rrugëve ilegale, Clavijo thotë se një numër i madh i personave kanë mbetur të bllokuar në zonën kufitare.
“Kodra Turke” në kampet e Bangladeshit
Ai theksoi se Turqia është shteti i cili dërgon më së shumti ndihma në kampet ku janë strehuar muslimanët e Arakanit, të cilët kanë ikur nga persekutimi i Mianmarit për në Bangladesh. “Më parë kur ne vinim në këto kampe na pyesnin se prej nga kemi ardhur, kurse tash menjëherë pyesin se ‘Çfarë ka ardhur nga Turqia?’”, tha Clavijo.
Clavijo tregon se TDV ka dhuruar kashtë, bambusë, tenda dhe batanije për 4.000 familje në kampin Kutupalong-5 dhe kanë ndihmuar për vendosjen e tendave në këtë kamp. “Ashtu sa që kodra ku ne i vendosëm tendat po quhet ‘Kodra Turke’”, thotë ai.
Sipas tij, Turqia është një shtet i fuqishëm dhe shpesh përmendet nga qeveria dhe populli i Bangladeshit. Clavijo tha se përkundër ndihmave të vogla të shteteve të tjera, Turqia është shteti më aktiv në këtë rajon.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re