Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, ka reaguar ndaj qeverisë izraelite dhe anëtarëve të saj që bastisën Xhaminë al-Aksa dhe deklaroi se do të marrin të gjitha masat ligjore kundër tyre.

Sipas lajmit të agjencisë palestineze të lajmeve “WAFA”, Abbas mbajti një fjalim në takimin e Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) në ndërtesën e Presidencës Palestineze në Ramallah.

“Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme ligjore të parashikuara nga legjitimiteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur qeverisë izraelite dhe anëtarëve të saj që bastisën Xhaminë al-Aksa. Ne do të diskutojmë të gjitha çështjet, qoftë me qeverinë izraelite qoftë me administratën e SHBA-së. Nuk është sekret që administrata e SHBA-së qëndron pas politikës izraelite”, tha Abbas.

Duke deklaruar se bastisja në Mesxhid al-Aksa ishte fillimi i zbatimit të politikës së shpallur nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu, Abbas theksoi se ata e kundërshtuan me vendosmëri këtë politikë.

– Bastisja provokuese e ministrit Ben-Gvir në Xhaminë Al-Aksa

Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i njohur për veprimet e tij provokuese, më 3 janar bastisi xhaminë Al-Aksa nën mbrojtjen intensive të policisë izraelite dhe hyri në Harem-i-Sharif.

Ben-Gvir, lideri i një partie të ekstremit të djathtë, u bë ministri i parë izraelit në detyrë që hyri në Xhaminë Al-Aksa pas 5 viteve.

Përpara se Ben-Gvir të bëhej ministër në qeverinë e sapoformuar, ai përmendej shpesh për shkak të bastisjeve në Mesxhid al-Aksa, nxitjes së tij për akte dhune kundër palestinezëve dhe retorikës së tij raciste gjatë mandatit të tij si deputet.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re