Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se do të rrisin përpjekjet për të eliminuar shqetësimet e Turqisë për sigurinë lidhur me anëtarësimin e vendit të tij në NATO dhe se ato që nevojiten për këtë do t’i përmbushin edhe pas anëtarësimit në NATO.
Pas një vizite në selinë e NATO-s, tre ditë pas marrjes së detyrës si kryeministër i ri i Suedisë, Kristersson, zhvilloi një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kristersson theksoi se biseduan rreth anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe se deri më tani anëtarësimin e kanë miratuar 28 vende.
Ai u shpreh se qeveria e re e Suedisë i kushton rëndësi të madhe bashkimit në NATO dhe se procesi për anëtarësimin e vendit nuk do të ndikohet nga ndryshimi i qeverisë.
Lidhur me shqetësimet e sigurisë që Türkiye ka ngritur më parë Kristersson deklaroi: “Qeveria ime do të shumëfishojë përpjekjet për zbatimin e memorandumit trepalësh të nënshkruar mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës. Kjo situatë do të jetë e tillë edhe para anëtarësimit të Suedisë në NATO edhe më pas. Memorandumi trepalësh ka krijuar platforma të reja për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit mes Suedisë dhe Turqisë. Lufta kundër terrorizmit është prioritet për ne para dhe pas anëtarësimit në NATO. Ne jemi shumë seriozë në angazhimet tona”.
– “Jam i gatshëm që të vizitoj Ankaranë”
Ndaj pyetjes se çfarë përpjekjesh do të tregojnë më shumë se qeveria e mëparshme për të eliminuar shqetësimet e Turqisë, Kristersson rikujtoi se në Suedi ka një ligj të ri të miratuar në çështjen e luftës kundër terrorizmit.
“Ashtu sikurse qeveria e mëparshme ne jemi të angazhuar me Türkiye-n. Por për të zbatuar ato që kemi premtuar aktualisht nuk posedojmë shumë mjete”, tha Kristersson.
Ndaj pyetjes nëse ka apo jo qëllim të vizitojë Turqinë, Kristersson tha se “Jam i gatshëm që të vizitoj Ankaranë në kohën më të shpejtë. Këtë mesazh ia kemi përcjellë miqve tanë turq”.
Ndër të tjera Kristersson vuri në dukje se do të përmbushin detyrimet e tyre lidhur me anëtarësimin duke përfshirë doktrinën bërthamore të NATO-s, se do t‘i përmbahen objektivave për shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s dhe se do të kontribuojnë në mbrojtjen kolektive.
– Stoltenberg: U dakorduam mbi rëndësinë e shqetësimeve të Turqisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se mirëpresin angazhimin që Suedia ka për memorandumin trepalësh për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit.
“U dakorduam mbi rëndësinë e shqetësimeve legjitime të Türkiye-s për sigurinë”, tha Stoltenberg, i cili shtoi se janë të kënaqur nga hapat që Suedia ka ndërmarrë për të zbatuar memorandumin.
Stoltenberg u shpreh se ka punime që janë kryer nëpërmjet mekanizmit në çështje të tilla që përfshijnë përpjekjet për heqjen e kufizimeve të shitjes së armëve ndaj Turqisë, rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, ndalimin e pjesëmarrjes në organizata terroriste përfshirë PKK-në, ekstradimin e kriminelëve dhe financimin e terrorizmit.
Burimi: AA