Qeveria e re konservatore greke morri votëbesimin në parlament, një mbështetje kjo ndaj politikës ekonomike, e cila përfshin shkurtimet e taksave dhe stimujt e investimeve.

Kryeministri i Demokracisë së Re, Kyriacos Mitsotakis fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të 7 korrikut, në krahët e premtimeve për të ulur taksat dhe për të nxitur rritjen ekonomike, duke mundësuar sipas tij, pengimin e një krize afatgjatë borxhi.

“Koha e rritjes së taksave dhe rritja e varfërisë do të zëvendësohet nga një periudhë investimesh dhe pagash të mira”, tha Mitsotakis para ligjvënësve.

“Ne duhet të shkruajmë historinë tonë duke filluar që sot, me miratimin e programit qeveritar”, shtoi ai.

Mitsotakis ka njoftuar planet për reforma të mëdha, duke përfshirë digjitalizimin, racionalizimin e aparatit shtetëror dhe uljen e taksave në përpjekje për të rritur ekonominë.

Greqia ende po përpiqet të dalë nga kriza financiare që e detyroi atë të pranojë tre kredi ndërkombëtare që nga viti 2010.

Mitsotakis tha se reforma dëshiron të nxisë investimet, rritjen ekonomike dhe punësimin dhe në fund të rrisë standardin e jetesës pas dy gati dekade krizë.

Sipas planit të ri të kryeministrit, reformat duhet t’i bindin kreditorët të pranojnë kushte më të buta të shlyerjes së borxheve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re