Ministrja Elisa Spiropali shprehet se mazhoranca është e gatshme të ulet në dialog me opozitën dhe se tashmë nuk ka kohë për tensione e përpjekje të kota. Sipas saj të dy palët duhet të punojnë që Shqipëria të çelë negociatat në tetor.

“Nuk ka më kohë për tensione, janë përpjekje të kota, të dëshpëruara.

Ne duhet t’i kthehemi dialogut dhe urojmë që opozita jashtë parlamentare të shëndoshet dhe të ulet në tryeza me ne.

Nuk jemi armiq, duam që në tetor Shqipëria të çelë negociata dhe nëse duan seriozisht t’i shërbejnë këtij vendi t’i thërrasin arsyes.

Dora jonë është e shtrirë“, tha Spiropali.

Ndërkohë, duke folur për krizën politike, Spiropali tha se Reforma në Drejtësi ka nxjerrë nga binarët Berishën, Metën, Bashën e Kryemadhin.

“Procesi i integrimit nuk është formal, por përmes hapash dhe reforma në drejtësi është kyçe. 

Nuk di sa e justifikuar është frika e tyre, por duket se reforma në drejtësi i ka nxjerrë nga binarët. 

Është tërësisht i montuar dhe kontrolluar nga partnerët tanë”, shtoi Elisa Spiropali.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re