Kreu i LZHK, Dashamir Shehi në një intervistë për Panorama TV ka komentuar projektligjin e qeverisë për legalizimin e kanabisit i cili do të përdoret për qëllime mjekësore, ku tha se ky vendim do t’i japë një emër të keq vendit lidhur me procesin e integrimit.

Shehi tha se nëse do të miratohet si projektligj në parlament, zbatimi i tij do t’i hapë rrugë botës së krimit, pasi vendi ynë nuk ka kapacitete për të ushtruar kontrolle në territore për të parandaluar kultivimin.

Pjesë nga biseda:

A është e nevojshme legalizimi i kanabisit në vendin tonë?

Shehi: Jo vetëm që nuk është e nevojshme por është dhe e dëmshme, këta shtrihen me idenë që duke legalizuar këtë punë do zvogëlohet procesi i kultivimit të kanabisit. E kemi emrin e keq në Europë që jemi bërë vend i trafikut të drogës, më duket sajesë e kotë legalizimi. Më duket e panevojshme, e rrezikshme por qeveria aty ku është puna më e pisët, emri më i keq aty e fut dorën gjithmonë, kërkon të legalizojë paratë e pista, kërkon të mbjelli drogë, pasaportat e arta por ne kemi shumë mundësia për të zhvilluar vendin, na mungon një mirëqeverisje. Ç’na duhet ne ky problem, janë pengesa për në Europë dhe procesin e integrimit. Kjo lloj qeverisje e ka treguar veten, grupet që sot kontrollojnë tregun e kanabisit janë në gjendje të marrin dhe vendime politike dhe të bëjnë një legalizim të kotë, Shqipërisë i jep një emër të keq.

Nëpër magazina që do manipulohen, do t’ia thjeshtësojnë punën botës së krimit. Ditën që shitet në mënyrën legale nuk ka të njëjtën çmim, por më të lartë pasi i ushtrohet kontrolleve. Nëse do të ishte që droga i bën të pasur vendet, do ishte bërë Afganistani, çfarë është kjo mani për të hapur lajmin, ne nuk kemi produkte bazë ushqimore hyjnë të pakontrolluara, jo më të merremi me kanabisin.

Maqedonia e Veriut e ka një gjysmë shteti, nuk është në listën e vendeve të trafikut të drogës, nuk kemi dëgjuar që mbillen malet me drogë si te ne. Kanë institucione kontrolli, Shqipëria nuk i kap dot paratë e pista. Ne duhet të bëjmë gjëra që mund t’i kontrollojmë. Asnjë nuk e do projekt ligjin, do e kundërshtojnë. Mos të bëjmë punë, kur të tjerët dyshojnë për ne, kush është përfitimi.

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re