Kabineti i
sapoformuar i kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis u betua në një ceremoni
të zhvilluar në pallatin presidencial në Athinë. Pasi morën bekimin e
Kryepeshkopit Jeronimo, ministrat e rinj dhe zëvendësit e tyre nisën menjëherë
punën.
Demokracia e
Re fitoi 158 deputetë në parlamentin 300 vendësh dhe erdhi në pushtet me
premtimet për rritje investimesh, hapje të vendeve të reja të punës, ulje të
taksave dhe rrëzimin e marrëveshjes për emrin me Maqedoninë Veriore. Duket se
ekzekutivi i ri grek, është i përkushtuar seriozisht në këtë çështje, që mund
t’i kushtojë Shkupit çeljen e negociatave.
“Marr detyrën
mes ndjeshmërisë në rritje për shkak të marrëveshjes së papranueshme të
Prespës. Ne do të përdorim veto në Bashkimin Europian për të reduktuar efektet
e ujdisë”, u shpreh zv/ministri për Maqedoninë dhe Trakën, Theodoros Karaoglou.
Të njëjtin paralajmërim
mori dhe Shqipëria gjatë periudhës së fushatës, me vetë liderin e Demokracisë
së Re, Kyriakos Mitsotakis që kërcënonte të ndalonte procesin e integrimin me
vendosjen e vetos nëse Tirana nuk do të respektonte të drejtat e minoritetit
grek. Megjithatë qeveria e re ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje,
për të cilën duhet pritur muaji tetor.
Për të
zgjidhur mosmarrëveshjet dhe çështjet e mbetura pezull, Shqipëria do të
negociojë me ministrin e jashtëm të ri grek, Nikos Dendias, i cili është
deputet i zgjedhur në zonën e Korfuzit. Ndërsa për rimëkëmbjen e ekonomisë
greke do të merret Christos Staikouras, i cili u betua si ministër financash. 46-vjeçari ka
shërbyer si koordinator për punët ekonomike të Demokracisë së re dhe deputet që
prej vitit 2007.
