Disa shpenzime buxhetore të tilla si shpenzimet kapitale dhe rimbursimi i TVSH-së u rritën me shpejtësi në dy muajt e parë të vitit, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Ministria e Financave publikoi listën e detajuar të investimeve publike për janar-shkurt 2021, në të cilën u angazhuan financime me vlerë 5.9 miliardë lekë. me një rritje mbi 90% në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Financimet më të mëdha i morën projektet e infrastrukturës, koncesionet PPP dhe procesi i rindërtimit. Të dhënat më të detajuara tregojnë se projekti më i financuar për dymujorin ishte “Subvecionim Projekti koncesionar/PPP për subvencionimin e rrugës Milot – Morinë”, me 369 milionë lekë nga 740 milionë lekë të programuara për të gjithë vitin.

Projekti i dytë më i financuar në dy muajt e parë të vitit ishte “projekti i burimeve ujore me 366 milionë lekë, edhe pse për këtë projekt nuk kishte fonde të programuara sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Projekti i tretë më i financuar ishte segmenti rrugor Qukës-Qafë Plloçë, me 359 milionë lekë, edhe ky një projekt i paprogramuar në buxhetin e këtij viti sipas tabelës së pagesave nga thesari.

Gjithashtu, edhe pse pa financime të përllogaritura, projekti i rehabilitimit të lumit të Vlorës mori gjatë dy muajve të parë 295 milionë lekë. Projekte të tjera të infrastrukturës rrugore, për të cilat nuk ishin planifikuar financime morën fonde nga buxheti, si ndërtimi i By Pass të Vlorës me 129 milionë lekë dhe programi i infrastrukturës bashkiake me 137 milionë lekë.

Nga 20 projektet më të financuara të dy muajve të parë të vitit 2020, më shumë se gjysma, 11 prej tyre nuk ishin të programuara për financim këtë vit.

Rindërtimi i banesave nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 u financua me 121 milionë lekë nga 1,8 miliardë lekë të programuara për të gjithë vitin.

Për fondin e rindërtimit ishin programuar 2.1 miliardë lekë në dymujorin e parë të vitit, por u shpenzuan vetëm 907 milionë lekë ose 57% më pak se plani i periudhës. Edhe për vitin 2020, fondet për rindërtimin kishin një ecuri shumë të dobët, pasi nga 28 miliardë lekë të planifikuara u shpenzuan vetëm 16 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2021 janë programuar 97 miliardë lekë të cilat do të shpërndahen për financimin e 1942 projekteve. Gjatë dymujorit 2021 janë shpenzuar 5.8 miliardë lekë të cilat ishin 90 % më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Fondet e shpenzuara shkuan për financimin e 351 projekteve./ B.Hoxha

 

/faxweb