Sot do të ishte një ditë kombëtare nëse Lindita Nikolla, kryetarja e Kuvendit, do ta mbante premtimin e një viti më parë, që 22 nëntori, dita e alfabetit, të ishte festë zyrtare.

 

LINDITA NIKOLLA

 

KRYETARE E KUVENDIT

 

28 NËNTOR 2021

 

Doja t’ju informoja se kam ndërmarrë nismën për t’i kërkuar qeverisë që 22 nëntori, dita e alfabetit, të shpallet edhe në Shqipëri ditë kombëtare. Duke qenë një ditë e rëndësishme e identitetit kombëtar, duke qenë një ditë e rëndësishme e gjithçkaje që shënjon në atë që ne jemi dhe duhet ta mbrojmë fort edhe në të ardhmen. 

 

Kaloi një vit dhe premtimi i kryeparlamentares mbeti i tillë. “Vizion Plus” pyeti pse angazhimi i ndërmarrë publikisht nga Lindita Nikolla, madje para akademikëve nga Shqipëria dhe Kosova teksa flitej për abetaren e përbashkët ende nuk është përmbushur.

 

Në përgjigje, zyra e shtypit bën me dije se propozimi i kryeparlamentares Lindita Nikolla i është dërguar qeverisë në dhjetorin e 2021-it. Arsyeja është se përcaktimi i ditës së alfabetit si festë zyrtare mbart efekte financiare dhe për pasojë, duhet edhe miratimi i qeverisë.

 

LINDITA NIKOLLA

 

KRYETARE E KUVENDIT

 

Duke qenë se nisma ligjore për ndryshime në ligjin “Per festat zyrtare e ditët përkujtimore” ka efekte financiare, mbështetur në nenin 68, pika 3, të Rregullores së Kuvendit, në 2 dhjetor të vitit 2021 Kryetarja Nikolla ia ka paraqitur propozimin e saj Këshillit të Ministrave.

 

“Vizion Plus” pyeti në qeveri. Deri më tani nga zyra e shtypit nuk ka një përgjigje.

 

Me gjithë vullnetin e shprehur publikisht, mazhorancës qeverisëse nuk i doli një vit kohë për tu shprehur  nëse 22 nëntori duhet ose jo të jetë një ditë kombëtare, një nismë e cila për nga procedurat ligjore është më rutinorja për çdo burokrat të administratës shtetërore.