Kryetarja në ikje e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi vijon të këmbëngulë në detyrën e saj, duke mos e dorëzuar mandatin.

Dy ditë pas konstituimit të këshillit të ri ajo ka inspektuar punimet në qendrën multifunksionale, duke deklaruar dhe vazhdimin e punimeve në investime të tjera.

“Me një kopsht të ri të rikonstruktuar me dyfishin e hapësirës ne do kemi mundësi që të shërbejmë më shumë. Nga ana tjetër do të hapim një çerdhe të re, një shërbim që ka munguar në lagjen 1.

Një çerdhe e cila ka hapësirën e mjaftueshme për ti shërbyer të gjithë lagjes. Me një qendër të re shëndetësore që i bashkëngjitet shërbimit multifunksional, një shërbim i ri”, tha Voltana Ademi.

Pra, ajo duket se ka ndërmend të vijojë detyrën dhe të hiqet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por mbetet të shihet sesi do të veprojë tani që qeveria i preu fondet.

Po ditën e djeshme, ajo foli për mediat duke kërkuar zgjedhje të reja për Shkodrën.

Qytetarëve, sipas saj i është mohuar e drejta për të zgjedhur, jo vetëm duke ju referuar 30 qershorit, por zhvillimeve pas kësaj date, që nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit për shkak të akuzave.

“Unë dua të shpresoj që shpejt të kemi zgjedhje për Shkodrën, besoj do kemi zgjedhje për gjithë Shqipërinë, por ngjarjet e Shkodrës e kanë dëshmuar se qytetarëve u është mohuar kjo e drejtë, prandaj duhet t’u jepet sa më shpejt mundësia për të zgjedhur.

Zgjedhjet vendore nuk janë vendim që lidhen domosdoshmërisht me atë që them unë.

Dua të them që askush edhe unë në këtë rast, nuk do merrja guximin që të veja njerëzit e ndershëm të qytetit përballë krimit kur bëhet fjalë për të vendosur qoftë edhe Voltana Ademin në një pozicion, të vështirë në një situatë kriminale”, u shpreh Ademi.

Kryetarja në ikje e Bashkisë së Shkodrës shtoi se është kundër çdo marrëveshjeje politike mes palëve për zgjidhjen e krizës politike.

Kujtojmë që pak ditë më parë Voltana Ademi u shpreh e prerë se nuk do ta lëshojë bashkinë derisa, sipas saj, në vend të ketë zgjedhje të vërteta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re