Qeveria miratoi 10 ditë pas firmosjes në Romë, marrëveshjen për ngritjen e qendrës pritëse për azilkërkuesit nga Afrika në zonën e Gjadrit. Protokolli i kalon tanimë Parlamentit për shqyrtim dhe ratifikim.

Dy kryeministrat, Rama dhe Meloni, u dakordësuan për ngritjen e një kampi refugjatësh në Lezhë. Ai do të jetë streha e përkohshme e 36 mijë emigrantëve të paligjshëm në vit, që mbërrijnë në brigjet e Italisë.

Sipas marrëveshjes, kampi që pritet të ngrihet në Gjadër do të funksionojë sipas ligjeve italiane dhe të gjitha shpenzimet do të merren përsipër nga qeveria e Romës. Opozita e ka kontestuar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje mes Kryeministrit Rama dhe homologes italiane Meloni për mungesën e transparencës, por edhe sepse pretendon se është në shkelje të Kushtetutës si dhe e marrëveshjes ndërkombëtare.

Kryeministri ka deklaruar se kjo është e para dhe e vetmja marrëveshje e kësaj natyre, që nënshkruhet me një shtet të BE-së, edhe pse pranon se nuk kanë munguar kërkesat nga vende të tjera. Arsyeja përse e pranoi, ai përsërit se nuk ka lidhje me interesat shtetërore, por me borxhin që Shqipëria i ka Italisë, e cila ka mirëpritur dhe integruar me mijëra shqiptarë që emigruan atje pas ‘90-s. Marrëveshja mes dy vendeve do të jetë në fuqi për 5 vite me të drejtë rinovimi.

Ajo parashikon që gjatë kësaj periudhe emigrantët që do të transportohen nga Italia fillimisht do të regjistrohen në Portin e Shëngjinit dhe më pas do të vendosen në qendrën e pritjes në Gjadër, e cila ka një kapacitet deri në 3 mijë vende. Të gjitha shpenzimet si për transportin, ashtu dhe rikonstruksionin e godinave, por dhe ato për kostot ditore si të azilkërkuesve dhe personelit, që do të punojë brenda qendrës së pritjes do të mbulohen nga qeveria italiane.

KUNDËRSHTITË

Një grup prej 29 organizatash të fokusuara ndër të tjera te të drejtat e njeriut i janë drejtuar të mërkurën qeverisë shqiptare në një letër të hapur, ku kërkojnë tërheqje të Shqipërisë nga marrëveshja me Italinë për refugjatët.

Sipas BIRN, në letër organizatat shprehin shqetësimin se protokolli, që parashikon përdorimin e territorit shqiptar për krijimin e zonave të destinuara për pritjen dhe mbajtjen e refugjatëve azilkërkues rrit rrezikun e heqjes së padrejtë të lirisë dhe se është nënshkruar në mungesë të transparencës dhe në kundërshtim me legjislacionin e BE dhe po ashtu me Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore.

“Duke pasur në konsideratë të dhënat se Italia shqyrton kërkesat për azil në afate shumë të gjata (6 muaj deri në 1 vit), kjo mund të rezultojë në heqje të padrejtë të lirisë së lëvizjes për azilkërkuesit, duke cenuar parimin ndërkombëtar të ‘moskthimit të azilkërkuesit’ me pasoja potencialisht ligjore për shtetin shqiptar”, – thuhet në letrën e hapur.

Protokolli në fjalë u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni disa ditë më parë. Marrëveshja u prezantua në publik vetëm gjatë nënshkrimit dhe u bë publike po ashtu pas këtij nënshkrimi. Organizatat që kanë firmosur letrën e hapur ngrenë shqetësimin për mungesën e transparencës dhe konsultimit me publikun në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Mungesa e transparencës apo e konsultimit publik të marrëveshjes, si dhe për të informuar zyrtarisht si institucionet më të larta të vendit (Presidentin dhe Kuvendin), institucionet vendore të përfshira, ashtu edhe komunitetin lokal dhe publikun e gjerë përbëjnë një zhvillim shqetë sues dhe devijim negativ nga praktika dhe standardet e vendeve demokratike, të cilat janë të detyrueshme për një vend si Shqipëria”, – thuhet në letër.

Marrëveshja është kritikuar më herët nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si “Amnesty International” dhe po ashtu edhe nga Këshilli i Europës. Duke iu referuar historisë së shqiptarëve me emigracionin, organizatat i kanë kërkuar qeverisë të tërhiqet nga protokolli.

“Për sa më sipër, duke marrë parasysh kompleksitetin e imigracionit në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të detyrimeve ndërkombëtare mbi mbrojtjen e personave në nevojë (Konventa e Gjenevës e 28 korrikut 1951 dhe Protokolli i 31 janarit 1967) dhe duke shpresuar se historia e dhimbshme e emigracionit shqiptar të tri dekadave të fundit të shërbejë si mësim, kërkojmë tërheqjen e Shqipërisë nga ky protokoll”, – thuhet në letër.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re