Qeveria konfirmon zyrtarisht gjetjen e naftës së lehtë në zonën e Shpiragut, një produkt i cili përveç se do të furnizojë rafineritë vendase është dhe më i kërkuar nga kompanitë e huaja.Ministrja Belinda Balluku deklaroi se ky konfirmim tashmë e bën Shqipërinë tërheqëse edhe për bizneset e huaja hidrokarbure, duke përshpejtuar marrëveshjet me ato kompani që tashmë janë në tratativa me qeverinë, por duke tërhequr dhe të tjera.

“Çfarë është edhe më e rëndësishme, prodhimi nga ky pus do të simulojë punësimin, do të rrisë furnizimin me naftë të rafinerive vendase, do të inkurajojë krijimin e ekonomive të shkallës dhe do krijojë standarde më të reja të prodhimit” deklaroi ministrja Balluku në një konferencë për shtyp.

Kompania “Shell Upstream Albania” tha se potenciali është prej disa mijëra fuçive nafte në ditë.  Hapi i testimit vlerësues në pusin Shpirag-4 pason një marrëveshje që qeveria shqiptare dhe Kompania Shell nënshkruar shkurtin e vitit 2018 për zgjerimin e kërkimeve për naftë në këtë zonë.

“Shell” kishte kryer më parë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve 2 dhe 3 me pritshmëri për rezerva nafte.

Sipas kompanisë Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu do të përcaktohet më tej, përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese. Vendburimi i Shpiragut në afërsi të Beratit u konfirmua në vitin 2013 nga vlerësimi në pusin “Shpirag-2” i cili dëshmoi rezerva nafte të lehtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re