Qeveria e Maqedonisë, në seancën e 74-të të saj ka aprovuar marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Pas kësaj, e njëjta do të dorëzohet në Kuvendin e Maqedonisë në formë të propozim-ligjit për votim në seancë plenare.

Përveq partive në pushtet, propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për zgjidhjen e dallimeve me Greqinë e kanë përshëndetur edhe partitë shqiptare në opozitë, ajo e Aleancës për Shqiptarët dhe grupi i Lëvizjes BESA me në krye Bilall Kasamin i përbërë prej dy deputetësh.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Surija Rushidi ka njoftuar se dy votat e ASH-së, aq sa edhe kanë deputetë do të shkojnë “për” marrëveshjen.

“Ne si deputetë të ASH-së do të votojmë “për” ratifikimin e marrëveshjes për emrin. Dhe gjithashtu bëjmë thirrje për dalje në referendum”, tha Rushidi nga Qendra Informuese e Kuvendit të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, edhe deputeti i Lëvizjes Besa nga krahu i Kasamit, Fadil Zendeli ka bërë të ditur se do të votojnë pro ratifikimit të marrëveshjes dhe ndërkohë do të bëjnë apel për mbështetje të referendumit.

“Po ne do të votojmë ‘pro’ ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë. Unë flas në emrin e dy deputetëve të Lëvizjes Besa që janë në opozitë. Normal se do të mbështesim edhe referendumin”, tha Zendeli.

Zendeli gjithashtu ka përkrahur edhe protestat që po zhvillohen në Shkup, pasi që sipas tij, “çdo protestë është e drejtë e qytetarëve”.

Marrëveshja për emrin e Maqedonisë u nënshkrua nga ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, dhe homologut të tij nga Greqia, Nikos Koxias, në shoqëri të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe atij të Greqisë, Aleksis Cipras.

I pranishëm në ngjarje dhe duke dëshmuar me nënshkrim ishte edhe ndërmjetësi i OKB-së, Methju Nimic.

Përndryshe, pasi marrëveshja për emrin të marrë dritë jeshile në qeverinë e Maqedonisë, e njëjta pritet të kalojë në Kuvendin e Maqedonisë, më së voni ditën e mërkurë.

Për miratimin nevojitet shumicë e thjeshtë, gjegjësisht shumica e të pranishmëve në sallë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë ‘pro’.

Sipas procedurave, pas kësaj ligji dërgohet në presidencë.

Presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet të nënshkruajë të njëjtin. Përderisa Ivanov përdor të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojiten minimum 61 vota të deputetëve për miratimin e ligjit dhe i njëjti përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas kushtetutës është i obliguar që ta nënshkruajë.

Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re