Një nga vendimet e Qeverisë në mbledhjen e kësaj të mërkure ka qenë ai për sigurimin e jetës së Shërbimin Zjarrfikës. Sipas këtij vendimi, që mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës dhe nenit 32, të ligjit nr.152 të vitit 2015 “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin” urdhërohen të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore të sigurojnë jetën e punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes Zjarri dhe Shpëtimin nga aksidentet gjatë kryerjes së shërbimit ose për shkak të tij.

Në pikën dy të këtij vendimi, Qeveria sqaron se punonjësit, të cilët përfitojnë sigurim jete, janë vetëm punonjësit që kryejnë funksione operacionale.

Sigurimi i jetës nga aksidentet gjatë shërbimit ose për shkak të tij realizohet sipas Qeverisë nëpërmjet lidhjes së kontratës së sigurimit me shoqëritë e sigurimeve, të përzgjedhura sipas rregullave për prokurimin publik.

Gjithashtu, kontrata e sigurimit të jetës nga aksidentet të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin mbulon ngjarjet aksidentale, si më poshtë vijon:

a) Vdekje si rezultat i aksidentit; b) Paaftësi e përhershme gjatë shërbimit ose aftësi e kufizuar gjatë shërbimit, ose një lloj i caktuar dëmtimi si rezultat i një aksidenti gjatë shërbimit ose për shkak të tij;

c) Paaftësi e përhershme gjatë shërbimit ose aftësi e kufizuar gjatë shërbimit, ose një lloj i caktuar dëmtimi si rezultat i një sëmundjeje; ç) Paaftësi e përkohshme si rezultat i një aksidenti; d) Paaftësi e përkohshme si rezultat i një sëmundjeje; dh) Shërbimet spitalore dhe/ose mjekësore në spitalet publike ose bazuar në marrëveshjen me shtetet e tjera për mbulimet shëndetësore që nuk ofrohen në spitalet publike të vendit.

Në këtë vendim është përcaktuar edhe shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo punonjës të siguruar, nuk mund të jetë më e ulët se 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe tarifa e primit të sigurimit përcaktohet në kontratën e sigurimit, por nuk mund të jetë më e ulët se 0.5 për qind.

Ndërsa në nenin 7 të vendimit thuhet se kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve. Por ka edhe një pikë për efektet financiare, që përballohen nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re