Kryeministri Edi Rama ka komentuar seancën e sotme plenare, ku u miratua në parim mes tymit të flakadanëve dhe zjarrit, buxheti për vitin 2024.

Në një reagim në “X”, kreu i qeverisë ka reaguar ashpër ndaj deputetëve të opozitës, për të cilët është shprehur se sipas tij,  “futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve”.

“Tanimë kanë prekur fundin”, shprehet ai ndër të tjera.

Reagimi i Edi Ramës

I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur.

Çfarë ndodhi në Kuvend

Në nisje të seancës Parlamentare, e cili zgjati pak minuta, deputetët e opozitës ndezën tymuese sapo kryeministri Edi Rama hyri në sallën e Kuvendit.  Ndërkohë nga ndezja e flakadanëve, një prej tavolinave u përfshi nga flakët ndërsa Garda ndërhyri për shuarjen e flakëve.

Tymi pushtoi sallën, por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla miratoi në parim projektbuxhetin e 2024, por duke bërë një gafë në raportimin e shifrave të votimit.

Nikolla hapi votimin për prezencën në Kuvend, ndërkohë që u shpreh se në sallë ishin të pranishëm 73 deputetë të maxhorancës. Ligji për akcisën është votuar në parim me 73 vota pro, por projektligjet e tjera në mënyrë të habitshme u shtuan me 10 vota. Ndërkohë që projektligjet e tjera sipas Nikollës u miratuan me 83 vota pro.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re