Qeveria në Shkup miratoi unanimisht këtë të hënë ratifikimin e marrëveshjes se Prespës për emrin e ri të Maqedonisë.

 

Hapi i radhës është dërgimi i saj në Kuvend. Kryetari i parlamentit Talat Xhaferri konfirmoi thirrjen e seancës të martën paradite dhe kalimin e projektligjit në komisionin përkatës, për shqyrtim. Pritet që debati të zgjasë dy ditë.

 

Për miratimin e marrëveshjes në parlament, nevojitet një shumicë e thjeshtë.

 

Sipas procedurave, ligji më pas dërgohet tek kreu i shtetit.

 

Presidenti Ivanov, i cili ka të drejtën e kthimit vetëm një herë, mund ta dekretojë ligjin në një afat prej 7 ditësh.

 

Ndërkohë situata para kuvendit u normalizua këtë të hënë, pas protestave të dhunshme gjate natës, kur tubuesit kundërshtuan marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë.

 

Ministria e Brendshme bëri të ditur se 25 persona u ndaluan ndërsa 7 policë u plagosën gjatë përleshjeve me demonstruesit.

 

Ata përdorën pajisje shpërthyese dhe shtynë dhunshëm gardhin mbrojtës, ndërsa përpiqeshin të hynin me forcë në Parlament.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re