Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton procedurat, mënyrën dhe rregullat për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbimin aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Vendimi synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit përmes një procesi transparent, të bazuar në parimet e barazisë, meritokracisë dhe mosdiskriminimit.
Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë, rikthimi do të bëhet në dy raste kryesore: 1-Shtimi i numrit të personelit apo nevoja për specialitete të veçanta që garantojnë operacionalitetin e Forcave të Armatosura; 2-Mobilizimi i përgjithshëm ose i pjesshëm.
Si do të funksionojë procesi?
Ministria e Mbrojtjes do të shpallë publikisht nevojat për rikthim në shërbim, së bashku me afatet dhe dokumentacionin e kërkuar.
Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit “e-Albania”, brenda një afati 10-ditor nga shpallja.
Kandidatët do të kalojnë një proces verifikimi dhe vlerësimi të dokumentacionit, të ndjekur nga intervista dhe kontrolli i sigurisë.
Vendimet e komisioneve të vlerësimit dhe shqyrtimit të ankesave do të komunikohen po ashtu nëpërmjet platformës “e-Albania”.
Kandidatët fitues do të rikthehen në shërbim me gradën e mëparshme, por nuk do të kenë të drejtë të konkurrojnë për gradim gjatë kohës së kontratës së re.
Në rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, njoftimi do të publikohet në median kombëtare dhe kandidatët do të thirren përmes postës dhe e-mailit nga Qendra e Personel-Rekrutimit.