Skip to content

Qeveria miraton vendimin për ndalimin e automjeteve mbi 10 vjet të përdorura

Qeveria ka miratuar këtë të premte vendimin për ndalimin e importit të automjeteve mbi 10 vjet nga viti i prodhimit.
 
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, automjetet të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme.
 
Ky ështrë një vendim i marrë në kuadër të ruajtjes së cilësisë së ajrit, lejohen të regjistrohen për qarkullim në Shqipëri, mjetet motorike dhe automjetet si më poshtë:
 
“Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian;
Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1,me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian;
Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 4) duhet të jenë prodhuar jo me shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.”
Ndërkohë ky është një vendim që hyn në fuqi, 30 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.