Sot në Shkup qindra studentë shqiptarë të Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut kanë dalë në një protestë masive për të kërkuar përdorimin e gjuhës amëtare në provimet e diplomimit, një e drejtë që praktikisht ekziston në letër.
Me thirrjet “ Gjuha shqipe e drejta jonë” “ne flasim shqip”, “nuk ka shtet pa rini”, studentët e shumtë në numër mbanin pankarta të ndryshme dhe flamujt kuq e zi duke kërkuar diçka që është e garantuar.
Edhe pse gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka status zyrtar, provimi i jurisprudencës, i domosdoshëm për ushtrimin e profesioneve juridike si avokat, gjyqtar apo prokuror, zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase.
Lidhur me këtë protestë ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se, gjuha shqipe nuk negociohet pasi është një e drejtë e fituar me gjak.
“I bëj thirrje Qeverisë Shqiptare që të marrë menjëherë masat për të ndërhyrë pranë autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të shmangin kthimin pas në kohë të errëta. Rruga e dy vendeve tona fqinjë është e përbashkët drejt Bashkimit Europian. Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, shkruan ndër të tjera Bardhi.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo është një e drejtë e fituar me gjak dhe që nuk mund të negociohet.
Mbështes plotësisht protestën legjitime të studentëve sepse gjuha është historia, është gjak, është kujtesa. Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, ka problem drejtësie. Për secilin prej tyre gjuha shqipe është identitet.
I bëj thirrje Qeverisë Shqiptare që të marrë menjëherë masat për të ndërhyrë pranë autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të shmangin kthimin pas në kohë të errta. Rruga e dy vendeve tona fqinjë është e përbashkët drejt Bashkimit Europian. Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.



