Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi në lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2 CNN se kabineti i ri qeveritar i prezantuar dje nga kryeministri Edi Rama do është “vazhdimësia e një vendi që rrënohet”.

“Është i njëjti kryeministër i cili prodhoi një Shqipëri të rrënuar, që ka bërë që shqiptarët të ikin me qindra mijëra. Kryeministri prezantoi dje nëpunësit dhe “kamikazët” e tij, që do të firmosin symbyllur koncesionet hajdute dhe do të jenë vazhdimësia e një vendi që rrënohet, pasi nuk dëgjuam asnjë ide, por vetëm lëvizje brenda Rilindjes. Pati një konfirmim absolut të të gjithë hajdutëve të votave”, tha Vasili.

“Janë vetëm firmosës të radhës të kryeministrit, që mund të kenë fatin e drejtorëve të Hipotekës në Vlorë, që nëse nuk pranojnë të firmosin, do të largohen. Kryetari i bandës, Edi Rama, do vetëm firmosës symbyllur”, shtoi nënkryetari i LSI-së.

Në lidhje me qëndrimin e Partisë Demokratike në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, Vasili deklaroi:

“Dje, zoti Basha e tha qartë se qëndron fokusi te 25 Prilli. Pa zgjidhur 25 Prillin, asnjë reformë dhe marrëveshje nuk bëhet e mundur. Ne vijmë nga dështimi i 5 Qershorit, i garantuar nga ndërkombëtarët, që u zhbë me ndryshime kushtetuese të turpshme dhe të njëanshme të “Rilindjes” dhe bashkë me të u nxor mësimi që kush beson te marrëveshjet me Edi Ramën, do të ketë 5 Qershorë të tjerë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re