Skip to content

Qeveria shpall aministinë fiskale; do të legalizohen pasuritë deri në 2 milionë euro

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Qeveria ka zyrtarizuar nismën e saj për të bërë amnisti fiskale dhe penale për individët që deklarojnë vullnetarisht pasurinë.

 

Drafti, i hedhur tashmë për konsultim publik, legalizon pasuri deri në 2 milionë euro.

 

Çdo qytetar shqiptar, rezident në Shqipëri, por edhe emigrantët, që kanë vënë pasuri nga puna në të zezë, por jo kriminale, mund ta deklarojnë tashmë atë, duke paguar një tatim të veçantë që varion nga 7 deri në 10%.

 

Për këtë qëllim, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të ngrihet Njësia për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive.

 

Pranë saj mund të paraqitet çdo individ që kërkon të deklarojë vullnetarisht pasurinë, të pajiset me një formular të deklarimit dhe më pas të vijojë procedurat duke hapur një llogari bankare për këtë qëllim.

 

Është në detyrën e Njësinë Speciale të bëjë verifikime në bashkëpunim me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokurorinë, SHISH, ILD, Ministrinë e Drejtësisë apo Kadastrën për të kuptuar nëse kjo pasuri është nga puna në të zezë apo është vënë nga aktivitet kriminal.

 

Sipas draftit, shuma që deklarohet dhe derdhet në bankë, nuk mund të transferohet jashtë shtetit për një periudhë 5-vjeçare nga momenti i depozitimit të saj. Në rast të kundërt, do të duhet të paguajë një penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.

 

Amnistia fiskale e propozuar nga qeveria jep mundësinë për të deklaruar vullnetarisht edhe pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme me burime të padeklaruara, si edhe legalizimin e atyre pasurive që ndodhen jashtë Shqipërisë.

 

Nga amnistia fiskale përjashtohen të gjithë funksionarët e lartë të shtetit dhe subjektet e krimit.

 

Qeveria po i rikthehet kësaj nisme me argumentin se do të ligjërojë paratë dhe asetet e emigrantëve, por nga ana e ekspertëve shihet me skepticizëm sepse sipas tyre, në këtë mënyrë mund të gjenerohen shpejt para në buxhet, por dëmet mund të jenë më të shumta se përfitimet.

 

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë