Qeveria u bën thirrje emigrantëve të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim ku përcaktohet e gjithë procedura që duhet të ndjekë çdo shqiptar që dëshiron të votojë në shtetin ku banon.

 

Sipas këtij vendimi çdo emigrant hyn në faqen e-albania, dhe plotëson një formular ku deklaron shtetin, qytetin dhe adresën e saktë të banimit.

 

“Autoritetet përgjegjëse i ofrojnë shtetasit shqiptar, në adresën e vetëdeklaruar e të konfirmuar, këto shërbime: a) shërbime të gjendjes civile;  b) ushtrim të së drejtës së votës, në zbatim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.”

 

Votimi i emigrantëve në vendin ku jetojnë u përfshi për herë të parë në kodin zgjedhor që u miratua nga Parlamenti në datën 23 korrik. Por, kodi ia lë tërësisht në dorë organizimin e procesit të votimit, komisionit qendror të zgjedhjeve.

 

Duhet që KQZ të miratojë një vendim i cili përcakton mënyrën si do të votojnë emigrantët e si do të numërohet vota e tyre.

 

Por ky vendim kërkon shumicë të cilësuar për t’u miratuar e socialistët duhet detyrimisht të gjejnë konsensus me opozitën për rregullat në lidhje me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve.

 

Por sot 5 muaj larg zgjedhjeve nuk ka asnjë emigrant të regjistruar e duket e vështirë që në 25 prill shqiptarët të votojnë në shtetin ku banojnë.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re