Në kushtet e një pandemie të plotë, izolimi dhe mungesa e fluturimeve janë dy prej gjëra që ndoshta do të mbahen mend gjatë. E para, sepse gjithkush e ndjen thuajse çdo ditë dhe e dyta, se ndodh për herë të parë pas shumë dekadash që Shqipëria të mos ketë fluturime.

Madje, 24 prilli shënon edhe ditën e Aviacionit Ushtarak Shqiptar, duke shënuar të parën herë pa fluturime në qiell. Hapi i parë për të krijuar një Aviacion Ushtarak në Shqipëri u hodh në 1914, kur qeveria shqiptare porositi blerjen e tre avionëve Lohner Daimler nga Austria për të formuar Korpusin Ajror Shqiptar.

Si rezultat i Luftës i Botërore, urdhri u anulua dhe gjatë viteve 1920-1930 Shqipëria nuk kishte burimet e nevojshme për të rifilluar zhvillimin e një Force Ajrore. Përpjekjet e para për të blerë aeroplanë dhe për të krijuar një Forcë Ajrore rifilluan përsëri në fundin e viteve ’30, kohë në të cilën kadetë për pilot u dërguan për studime në Austri, Itali dhe Francë.

Aviacioni Luftarak Shqiptar është krijuar pas Luftës II Botërore dhe data zyrtare e krijimit të tij është 24 prilli i vitit 1951. Edhe Vëzhgimi i Hapësirës Ajrore është institucionalizuar pas luftës. Më 14 shkurt të vitit 1947 është krijuar kompania e VAIN-it për vrojtimin e hapësirës ajrore dhe informimin për objektet e zbuluara.

Grupimi i parë i avionëve luftarakë është bërë në Tiranë në vitin 1951, ku bënin pjesë avionë Polikarpov Po-2 dhe Jakovlev Jak-18. Reparti i parë i Aviacionit Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë dhe kishte në përbërje të tij avionë Mikoyan-Gurevich MiG-15.

Në vitin 1957 krijohet Reparti i Transportit Ushtarak në Tiranë, i cili kishte në përbërjen e tij avionë Po-2, Jak-18 dhe helikopterë Mi-1 dhe Mi-4. Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Aviacionit në Rinas, i cili kishte në përbërjen e tij një skuadrilje me avionë MiG-19 dhe një skuadrilje me avionë MiG-17. Po në vitin 1962 krijohet edhe Shkolla e Aviacionit. Në vitin 1967 krijohet Regjimenti i Helikopterëve, që numëronte në parkun e tij mbi 30 helikopterë të rinj Mi-4.

Në vitin 1974 krijohet Regjimenti i Gjadrit, i cili ishte i pajisur me avionë MiG-21 dhe MiG-19, përveç disa avionëve mësimorë MiG-17 e MiG-15 për trenerim.

Në vitet ’70 Aviacioni Luftarak kishte në eficensë të plotë mbi 70 avionë MiG-19 dhe 12 avionë MiG-21, një skuadrilje luftarake me MiG-17 dhe shumë avionë luftarakë-mësimorë të tipit MiG-15.

Pjesë e parkut ushtarak të avionëve ishin edhe katër avionë transporti Ilyushin Il-14, të cilët shërbenin si avionë për transport qeveritar, apo për studime ushtarake e gjeografike.

Në Tiranë, në fushën e Laprakës ishin të dislokuar edhe 12 avionë transporti të lehtë Antonov An-2, që shërbenin për transport trupash dhe në ndihmë të ekonomisë. Në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, veç avionëve reaktivë MiG-15, kishte gjithashtu edhe dy skuadrilje me avionë me helikë Jak-81, të cilët shërbenin për përgatitjen e pilotëve në vitin e parë të kualifikimit si pilot.

Në Regjimentin e Rinasit kishte gjithashtu edhe një avion bombardues të lehtë tip Ilyushin Il-28. Në vitet ‘70-‘80 niveli i programimit të fluturimeve ishte intensiv dhe sasia e fluturimeve për çdo pilot e avion ishte i standardeve e kërkesave të larta.

Pas viteve 2000, në Forcat Ajrore filloi prurja e teknikës fluturuese Perëndimore. Në prill të vitit 2001 erdhën helikopterët e parë AB-206, ndërsa me 26 nëntor 2003 është kompletuar një skuadrilje e tillë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re