Pak ditë më parë në rrjetet sociale e median kineze u publikuan pamjet e një pjese të qiellit, që kishte marrë një ngjyrë të thellë të kuqe. Videot e bëra nga qytetarët në Zhoushan tërhoqën menjëherë miliona klikime e vëmendjen e mediave të mëdha të huaja, duke i kthyer pamjet në qytetin port, virale.

Kurrë nuk kisha parë ndonjëherë diçka të tillë. Mbeta gojëhapur kur pashë sesi qielli u bë i kuq”-tregoi një prej qytetarëve që njëlloj si shumë të tjerë bëri video të fenomenit të pazakontë.

Autoritetet kineze reaguan mbi rastin, duke shpjeguar se pjesa e skuqur në qiellin e qytetit ka ardhur si pasojë e refraktimit (thyerjes) të dritës. Duke patur parasysh se u ‘skuq’ ajo pjesë e qiellit pranë portit, ngjyra e kuqe ka ardhur me gjasë si pasojë e dritave (të kuqe) të peshkarexhave e anijeve të shumta që ndodhen atje. Porti i Zhoushan është një ndër më të mëdhenjtë në botë.

Shpjegimet mbi fenomenin e pazakontë i saktësoi edhe më tutje instituti meteorologjik i Zhoushan, siç raportoi media vendase. Autoritetet argumentuan se atë pasdite (të shtunën e kaluar) në qiell kishte formacione resh të ulëta dhe mjegull. Një prej meteorologëve shpjegoi:

“Kur kushtet e motit janë të tilla, më shumë ujë në atmosferë krijon aerosolë që thyejnë dhe shpërndajnë dritën e peshkarexhave në zonë, duke krijuar kësisoj qiellin e kuq që u pa nga njerëzit atje”

Pamje ne distance prej fenomenit te pazakonte

Por përtej shpjegimit, pati shumë debate mbi fenomenin. Shumë qytetarë nëpër rrjetet sociale folën për një event të ndodhur qindra vite më parë (viti1770), ku për 9 ditë me radhë qielli u bë i kuq. Fenomeni në fjalë u studiua nga shkencëtarët japonezë, të cilët konkluduan (në një studim të publikuar më 2017) se ‘skuqja e qiellit’ në atë kohë të largët, ishte shkaktuar me gjasë nga një aktivitet masiv diellor.

Mbi këtë argument, një ekspert nga ekipi i kërkimit në universitetin e Gjeoshkencës në Wuhan, shpjegoi se ditët e fundit nuk është regjistruar asnjë anomali përsa i përket aktivitetit gjeomagnetik e diellor, duke përjashtuar mundësinë se ‘qielli i kuq’ u shkaktua prej tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re