Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës rreth 900 pacientë janë evidentuar në listën e pritjes për diagnostifikim dhe vendosjen e stentave në zemër. 
Kjo situatë, erdhi si pasojë e keq-menaxhimit të mëhershëm, por edhe të prishjeve të shpeshta të aparaturës për diagnostifikim.Kështu i tha Radio Kosovës Tefik Bekteshi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK.Lista e gjatë e pritjes së pacientëve për diagnostifikim dhe vendosjen e stentave në zemër, është shqetësuese edhe për ushtruesin e detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive,Tefik Bekteshi.
“Sa i përket listës së pritjes, për mua është tmerruese, për pacientë tmerruese dhe ka dalë prej logjikës normale të listës së pritjes.”
Njëra nga sallat e kardiologjisë invazive është në renovim dhe është çështje ditësh se kur do të jetë gati për pacientët, tha dr Bekteshi.
“Mund të them me siguri absolute se me funksionalizimin e dy sallave të kardiologjisë invazive, çfarëdo liste që do të kemi, e edhe nëse lista do të rritet, mund të them se do të largohet brenda gjashtë muajsh” , tha ai.
Prishjet e shpeshta të aparatit të vjetër të koronarografisë kanë shkaktuan probleme të shumta, jo vetëm për pacientët por edhe për stafin e punës, thotë kardiologu Agron Qerimi.
‘Ne kemi qenë shumë të pambrojtur, sepse ajo ka liruar shumë rrezatim, shpeshherë na ka dalë rrezatimi që kemi marrë ne (stafi) mbi vlerat e lejuara. Kemi pasur telashe të bëjmë regjistrimin e CD-ve të ua japim pacientëve dhe çdo gjë jemi mundu të modifikojmë’’, tha Qerimi.
Me funksionalizimin e dy sallave në kardiologjinë invazive, pacientët më nuk do të drejtohen në klinikat private për diagnostifikim dhe stentim, thotë Tefik Bekteshi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re