Qendra Spitalore “Nënë Tereza” iu përgjigj akuzave të shefit të organizimit në PD-në e Berishës, Klevis Balliu për abuzime me një tender në QSUT.

 

Ish-deputeti demokrat pretendoi se ka parregullsi në tenderin për shërbimin e pastrimit të jashtëm të QSUT, mirëpo institucioni spitalor përmes një reagimi zyrtar sqaron se ndryshe nga sa pretendon Klevis Balliu, deri më tani nuk është organizuar dhe nuk është shpallur fitues askush për një tender të tillë në QSUT.

 

Drejtoria e Qendres Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shton gjithashtu se QSUT nuk është autoritet kontraktor në lidhje me këtë tender, por është përfitues i shërbimit të tenderuar.

 

Reagim QSUT:

Në përgjigje të deklarimit të ish deputetit të PD, Klevis Balliu që pretendon parregullsi në tenderin për shërbimin e pastrimit të jashtëm të QSUT, ju bejme me dije si më poshtë vijon:

QSUT NUK është autoritet kontraktor në lidhje me këtë tender, por është përfitues i shërbimit të tenderuar. E thënë me fjalë të tjera, të mjafta për t’u kuptuar nga kushdo, QSUT NUK ka organizuar dhe NUK ka shpallur askënd si fitues të këtij tenderi.

Cdo përpjekje për të përbaltur punën e palodhur të stafit mjekësor të QSUT dhe për të minimizuar arritjet e konsiderueshme të saj, nuk con vecse ne një dështim të garantuar të autorëve të kesaj thashethemnaje.

QSUT është dhe do të mbetet adresa e përditëshme e dhjetra mijëra qytetarëve nga Tirana, Shqipëria dhe trevat, për problematikat e tyre shëndetësore, dhe NUK duhet të bëhet kurrë destinacion i baltës politiko/mediatike nga kushdo qoftë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re