Vala e largimit të bluzave të bardha drejtë vendeve të Bashkimit
Europian nuk ka të ndaluar. Çdo vit nga Shqipëria largohen mesatarisht
150 mjekë të specialiteteve të ndryshme. Ndërkohë që rritje në numër po
shënon eksodi i infermierëve. Sipas Urdhrit të Infermierëve gjatë 8
muajve të parë të këtij viti kanë aplikuar për tu punësuar jashtë mbi
800 infermierë. Edhe pse për Shoqatën e Infermierëve shifrat janë edhe
më të frikshme.
Elson Jaçaj, president i shoqatës së infermierëve: Në dy vite janë 6 500 infermierë që kanë ikur. Nga Janari deri më tani shumica e të larguarve janë me eksperiencë pune…”
Jo vetëm vendet e Bashkimit Europian, por edhe Anglia,
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, por edhe Vendet e Lindjes së Mesme po kërkojnë
infermierë nga Shqipëria. Ndërkohë që Gjermania mbetet destinacioni i preferuar
i shumë prej tyre. Madje pak ditë më parë ka ndodhur një rast i paprecedentë ku
një spital gjerman, solli përfaqësuesit e saj në Qendrën spitalore Nënë Tereza.
Të cilët kanë ‘joshur’ infermierët profesionistë.
“Përfaqësues të një spitali universitar në Gjermani vijnë dhe
vendosin kontakte me vetë personelin, i cili punon në QSUT dhe
poliklinika të tjera.”
Sipas kreut të Shoqatës së Infermierëve, jo vetëm QSUT,
por edhe shumë ambulanca e spitale rajonale rrezikojnë të mbeten pa infermierë
profesionistë. Për këtë situatë ai fajëson qeverinë.
“Vetë ata mund të jenë pas kësaj gjëje, sepse nuk e kuptoj se si
një shtet mund të lejojë që në institucione shtetërore të vijnë të bëhen
promocione të tilla.”
Edhe pse ka shumë Fakultete të Shkencave Mjekësore
Teknike ku dalin çdo vit mbi 1 200
infermierë, largimet masive pritet të sjellin probleme në shërbimin
shëndetësor.
Klan Plus
