Qytetarët maqedonas,  këtë të diele do tu drejtohen kutive të votimit, për të votuar për referendumin për emrin e Maqedonisë.

 

Mbi 1.8 milionë qytetarë do të shprehin vullnetin e tyre në aprovim ose në kundërshtim të ndryshimit të emrit. Siç e përcakton edhe rregullorja, qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00, për të vijuar deri në orën 19:00. Ky referendum do të ketë një pyetje: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?

 

Rreth 12 mijë vëzhgues vendas dhe 320 vëzhgues të huaj janë akredituar për ta ndjekur procesin. Ndërkohë, ditën e djeshme shfrytëzuan të drejtën e votës personat e sëmurë, të burgosurit si dhe shtetasit që jetojnë jashtë Maqedonisë.

 

Sipas mediave maqedonase të shtunën 4963 persona të sëmurë patën dje të drejtën e votës, ndërsa 1558 ishte numri i të burgosurve. Mësohet se jo më shumë se 35% nga lista e të paraqiturve për të votuar në diasporë kanë dalë dhe kanë votuar dje nëpër gjithë kryeqytet e botës.

 

Ndërkohë nëpër burgjet e Maqedonisë ka pasur pjesëmarrje relativisht të madhe, apo 64.69% nga 1558 persona të regjistruar për të votuar. Personat e sëmurë kanë votuar në shumicë, pra 1520 vota nga 1859 të regjistruar. Gjithsej, sot në Maqedoni do të votohet në 3478 vendvotime, si pjesë e 80 komunave.

 

Parlamenti e ka miratuar tashmë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, por kundërshtimi nga ana e presidentit George Ivanov, e çoi çështjen drejt verdiktit të popullit. Kujtojmë që referendumi të jetë i suksesshëm, duhet që të paktën 853 mijë qytetarë të votojnë pro tij.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re