Mjekët i bëjnë apel qytetarëve që të mos neglizhojnë simptomat që tregojnë se kanë probleme kardiake.

Kardiologu Indrit Temali thekson se në rang botëror ka një rënie me 75% të pacientëve që vuajnë nga zemra dhe që duhet të marrin shërbimin spitalor për shkak të frikës dhe kufizimit të lëvizjes.

“Edhe në spitalin “Amerikan” si në të gjithë vendin është bërë një përshtatje e punës në lidhje me pandeminë e COVID-19. Ndërhyrjet emergjente, kardiake nuk duhet të pakësohen. Është vënë re edhe në rang evrope dhe botëror që ka një rënie prej 75% të paraqitjes së pacientëve me sindrom koronar-akute. Kjo nuk ka ndodhur sepse është pakësuar sëmundja, por sepse njerëzit kanë frikë të paraqiten”, tha kardiologu Indrit Temali.

Por, Spitali Amerikan 3 ofron shërbimin e ambulancës për të gjithë pacientët. Kardiologu i bën apel të gjithë qytetarëve që kanë simptoma infarkti të mos i neglizhojnë ato pasi kjo i rrezikon jetën.

“Mesazhi im është që dhimbja e gjoksit e shoqëruar me djersë apo të vjedha që janë karakteristikë për infarktin e miokardit nuk duhet neglizhuar. Në spitalin “Amerikan 3” vazhdojnë rregullisht ndërhyrjet emergjente, jetëshpëtuese sepse dihet që të sëmurët kardiak edhe në këtë kuadër të pandemisë kanë një rrezikshmëri rreth 15 herë më të lartë se të sëmurët e tjerë pa sëmundje kardiake apo me një ose dy faktorë të tjerë”, u shpreh ai.

Spitali Amerikan 3 garanton se ofron mundësinë e kontrollit dhe të parandalimit të infektimit të personave me COVID-19.

“Përveç triazhimit që bëhet në hyrje të spitalit bëhet edhe një skaner i shpejtë i cili e kap në mënyrë shumë të shpejtë edhe nëse nuk është paraqitur akoma klinika. Pacientët me COVID-19, në këtë mënyrë mund të zbulohen, tha më tej Kardiologu Indrit Temali .

Për shkak të pandemisë qeveria ka vendosur të pezullojë ndërhyrjet  në sistemin shëndetësor me përjashtim të atyre që janë emergjente.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re