Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me disa qytetarë të cilët kanë kaluar Covid-19.

Në bisedë me shefin e opozitës, qytetarët treguan dramat e tyre në përballjen me virusin. Një sfidë e vështirë ku jo të gjithë kanë arritur të dalin fitimtarë.

Gjatë bashkëbisedimit me kryedemokratin, qytetarë akuzuan institucionet përgjegjëse.

Qytetarët i thanë kryetarit të PD se në shumicën e rasteve në mungesë të përgjigjes nga shteti, janë detyruar të gjejnë zgjidhje në spitalet private duke paguar shuma të papërballueshme nga familjet shqiptare.

“Vetëm 30 gjilpëra më kanë kushtuar 1 milion e 800 mijë lekë. Është me të gjitha rregullat nëpërmjet mjekut të familjes që kam marrë.

Falë një djali që kam në Angli, me lekët e mija i kam ble, 80 gjilpëra kam bërë në trup, pa lëri kokrrat e të gjitha ilaçet. Asnjë gjë. Të gjitha me lekët e mija”, – tregoi qytetari Muharrem Poleshi i cili është përballur me virusin pa asnjë ndihmë nga shteti.

Aldi Gjurbavija rrefeu historinë e tij, i cili krahas përballjes së vështirë personale me virusin, në këtë betejë ka humbur të ëmën.

“Ne kërkonim një karrocë që ta nxirrnim me karrocë sepse ishte e pafuqishme, ishte dobësuar, dhe doktori që e ndiqte doli aty jashtë tha dëgjo: ditën e hënë ne do e nxjerrim, do pak kujdes tek shtëpia, sepse normalisht ka kaluar probleme etj., etj.

Ditën e hënë tha është mirë, për një muaj e merr veten dhe bëhet siç ka qenë në fillim. Në rregull, faleminderit. Ditën e hënë ne na marrin në telefon, është shumë rëndë tha doktori, ka kaluar ishemi celebrale, dhe në mëngjes duke u gdhirë e marta, domethënë që u bënë dy javë fiks, ndërroi jetë”, thotë ai.

Basha, apeloi edhe njëherë për kujdes, ndërsa i kërkoi qeverisë që të ndalë sipas tij vjedhjen dhe dërgimin e taksave në parajsat fiskale por të çojë paratë tek qytetarët, mjekët, infermierët dhe tek shëndetësia që të mos humben më jetë.

“Ne do të bëjmë gjithçka që ta mundim këtë të keqe në të gjitha dimensionet e saj dhe ta shërojmë Shqipërinë edhe të ecim drejt një të ardhme më të mirë ashtu siç dëshironi ju dhe ashtu siç dëshiron çdo shqiptar”, – u shpreh Basha.

Më tej Basha theksoi edhe njëherë se po fshihen të dhënat. Kreu i demokratëve tha se në këtë situatë rritja e numrit të testimeve është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen.

“Fshihen të dhënat. Dhe kur e them këtë nuk e them thjesht për të bërë një akuzë që kryeministri apo qeveria po fshehin të dhënat, është më e rëndë se kaq. Në qoftë se të dhënat nuk fshihen dhe publikohen ashtu siç janë me të vërtetë, atëherë merren masat sepse dihet që një përqindje e caktuar e atyre që janë të infektuar sot, pas një jave apo pas 10 ditësh do të kenë nevojë për trajtim spitalor.

Pra në qoftë se ke 500 apo 1 mijë të infektuar sot e di që këta, pra ky numër të sëmurësh, 50, 60 apo 70 do të duhet ti trajtosh në spital dhe fillon merr masat që sot për pas 10 ditësh nuk e lë për çastin e fundit. Bëhet analiza e të dhënave dhe ndihmohen mjekët.

Kurse kësaj që po bën kjo qeveri do të thotë ta lësh situatën në rënie të lirë.

Prandaj testimet janë kryesore sepse testimet tregojnë me të vërtetë se sa është përhapja e infeksionit dhe në bazë të saj pastaj merr masat për trajtimin e njerëzve.

Fati juaj i mirë nuk është thjesht dhe vetëm që e keni kaluar dhe keni mbijetuar pavarësisht prej kalvarit që po më tregoni dhe parave që ju duhet të paguanit, por e keni kaluar në një kohë kur akoma kishte kapacitete deri diku spitalore dhe mjekësore për t’ju ardhur në ndihmë.

Fati tragjik i gjithëve ne të tjerëve që nuk e kemi kaluar dhe i shumicës dërrmuese që janë në pamundësi ekstreme ekonomike është që në momentin që flasim kapacitetet spitalore janë realisht të mbingarkuar në çdo aspekt, mbingarkesë e mjekëve, mbingarkesë e infermierëve.

Ndërkohë ka medikamente të fuqishme të cilat, disa prej tyre janë të certifikuara qoftë në Europë apo qoftë në SHBA, ma kanë përmendur Rendisevirin, në Shqipëri është i pa certifikuar, i pa legalizuar dhe gëlon tregu i zi.

Mirpo çmimi kërcet deri në 3000 euro për një kurë Rendiseviri, ndërkohë që ky ilaç duhet të ishte i pranishëm bashkë me ilaçet, bashkë me barnat e tjera duhet të ishte i pranishëm në të 2 spitalet COVID apo në të 3 spitalet COVID.

Të gjitha këto, pastaj dhe rimbursimi i paketës së ilaçeve. Mund të jetë 50 mije, mund të jetë 100 mijë, mund të jetë 200 mijë, në rastin tuaj ka shkuar 2 milion. Po ata që e kanë blerë Randisivirin me paratë e tyre ju ka shkuar 3 mijë euro vetëm Randisiviri”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re