Nga Petrit Vasili
Boll komentuat IBAR-in, ndërkohë mijëra qytetarëve u helmohet shëndeti nga ajri i qelbur!
Qytetarët dëgjojnë mijëra komente për IBAR-in dhe gjë a gjëzë nëse u miratua apo nuk u miratua IBAR-i.
Miq, mijëra njerëz, që nga më të miturit e deri te moshuarit, thithin ajër të ndotur me lloj lëndësh toksike dhe pluhura. Sipas të dhënave të fundit nga platforma globale e monitorimit IQAir, Tirana mbytet nga grimcat PM2.5, PM10 dhe dioksidi i azotit.
Ka edhe mjaft toksikantë të tjerë, që nuk identifikohen, që të kombinuar me zhurmat e tmerrshme dhe trafikun e frikshëm përbëjnë një përzierje super negative faktorësh, armiq të jetës dhe shëndetit.
Kjo shpjegon edhe pse mijëra qytetarë shkojnë në klinika e spitale dhe diagnostikohen krejt papritmas me sëmundje shumë serioze, që as nuk e mendonin se mund t’i kishin.
Vrasësi i përditshëm është ajri dhe aq më shumë për moshat fëminore, që po përballen me sëmundshmëri të shtuar dhe të rënda.
Askush nga qeveria nuk vë ujin në zjarr për këtë pandemi të heshtur. Qeveria kërkon të shesë IBAR-in në vend që të ulë ndotjen, ku fajtore e vetme është ajo vetë për lejet e ndërtimit pa fund, që kanë kthyer Tiranën në geto kullash, si dhe për trafikun, që është shkaktuar nga infrastruktura pa plan dhe asfiksuese që u shërben kullave, por vret shëndetin.
Shqiptarët duhet ta kuptojnë dhe të luftojnë për shëndetin dhe jetën e tyre si të mirat më themelore të njeriut.
Këto lajme për ndotjen e frikshme të qyteteve tona qytetarët duhet t’i lexojnë e rilexojnë, se kanë të bëjnë vetëm me ta, pa se kaloi apo nuk kaloi IBAR-i, këtë le ta lexojnë edhe më vonë se nuk u bë kiameti dhe se nuk humbasin ndonjë gjë të madhe.
