9 janar/ATSH-Maela Marini/ Falë ankesës në platformën e bashkëqeverisjes, një qytetar nga lagjja e mbrojtur Goricë në Berat, arriti të realizonte ndërhyrjen për restaurimin e pjesshëm të banesës së tij.

Rasti u publikua sot gjatë takimit të përjavshëm të Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes.

Shtetasi Llazar Pushi ishte ankuar në formë shkresore në platformën e bashkëqeverisjes për restaurimin e pjesshëm të banesës së tij në lagjen e mbrojtur Goricë të Beratit, ku duhet të ndërhynte Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare.

Pas ankesës së tij, “kjo banesë u planifikua në paketën e mirëmbajtjes për vitin 2018 dhe janë finalizuar punimet për realizimin e kanalit për drenazhim dhe izolimin nga lagështia të banesës në shtator 2018”.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi gatishmërinë e qytetarëve që gjejnë zgjidhje përmes platformës, për të ardhur në këtë takim dhe për të treguar eksperiencën e tyre.

“Ne duam të përçojmë mesazhin përmes vetë zërit të njerëzve të zakonshëm, që të shihet se këto janë zgjidhje dhe shifra reale”, tha Rama. /j.p/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re